Tensionet brenda Partisë Demokratike rriten, ndërsa një nga kandidatet për drejtimin e saj ka lëshuar akuza të forta ndaj lidershipit aktual të Sali Berishës. E ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, Alesia Balliu u shpreh se vendimi për të garuar vjen si një reagim i drejtpërdrejtë ndaj premtimeve të pambajtura dhe mënyrës sesi partia po trajtohet “si pronë private”, ku zërat ndryshe po përjashtohen.
Duke shpjeguar motivet e saj, Balliu thekson se shtysa kryesore ishte “padrejtësia që u bë gjatë primareve” dhe fakti që lideri historik, Sali Berisha, “nuk mbajti asnjë nga premtimet që bëri tek Foltorja”. Kjo situatë e shtyu atë të sfidonte drejtpërdrejt vendimet e tij me një alternativë të re, duke kërkuar të përfaqësojë një tjetër qasje brenda partisë.
“Mua më shqetëson fakti që kjo parti po trajtohet si pronë private dhe po përjashtohen individë të cilët guxojnë të mendojnë ndryshe nga kryetari. Pasi me këtë që po bën sot me Alesia Balliun, me përjashtimin e Alesia Balliut, me vetëpërjashtimin e Ervin Salianjit, ai thjesht po jep një mesazh te demokratët që kushdo i cili guxon të mendojë ndryshe, do ketë të njëjtin përfundim si unë dhe zoti Salianji. Me pak fjalë, do jetë o i vetëpërjashtuar, o i përjashtuar. Unë luftën e bëj për parimet.
Unë jam demokrate, mbetem demokrate dhe do vazhdoj të jem demokrate. Por disa të vërteta kam për detyrë t’i them dhe që kjo parti të jetë një parti me një opozitë të fortë dhe të jetë një parti nesër fituese, i duhet padiskutim gjenerata e re dhe i duhet padiskutim ndërrimi i lidershipit aktual, i cili nuk e çon dot më në fitore, fatkeqësisht, Partinë Demokratike.
Sepse e ka pasur shansin, dy herë. Në 2013-ën kur humbi ndaj Ramës, në 2025-ën kur humbi ndaj Ramës. Unë personalisht nuk besoj tek rikthimet e treta. Ne nuk mundëm dot rezultatin e Bashës në 2021-shin. Sot që po flasim, jemi praktikisht 300,000 vota minus.
Unë dua progresin e Partisë Demokratike.
Zoti Berisha e pati shansin të na printe në këtë betejë në 11 maj dhe nuk fitoi. Unë po kërkoj vullnetin e demokratëve, të atyre delegatëve, të atyre demokratëve që tek ai kuvend votuan këtë statut. Po kërkoj zbatimin e kushtetutës dhe statutit të Partisë Demokratike”, u shpreh Balliu.
