Një gjykatë në Los Angeles ka refuzuar kërkesën e këngëtares legjendare Cher për të vendosur një kujdestari të përkohshme mbi pasurinë e djalit të saj, Elijah Blue Allman, mes shqetësimeve për gjendjen e tij mendore dhe problemet me varësinë.
Vendimi u dha më 24 prill, ku gjykatësi deklaroi se nuk kishte “urgjencë të mjaftueshme” për të justifikuar masën, edhe pse pranoi shqetësimet e familjes dhe miqve për sjelljen e Allman. Refuzimi ishte “pa paragjykim”, që do të thotë se Cher mund të paraqesë sërish kërkesën në të ardhmen.
Avokati i saj, Justin Gold, tha në gjykatë se artistja 79-vjeçare është “thellësisht e trishtuar” dhe po bën gjithçka për të ndihmuar djalin e saj 49-vjeçar, të cilin e përshkroi si “të paaftë” për shkak të problemeve me shëndetin mendor dhe varësinë. Sipas tij, e gjithë familja, përfshirë edhe vëllain Chaz Bono, është e prekur nga situata.
Allman aktualisht ndodhet në një spital psikiatrik në New Hampshire, ku është paraqitur në gjykatë virtualisht. Ai përballet me disa akuza penale në dy çështje të ndryshme, përfshirë sulm, hyrje të paligjshme dhe kërcënim kriminal.
Cher ka argumentuar se djali i saj ka probleme serioze me menaxhimin e financave dhe rrezikon të shpenzojë paratë që merr nga trashëgimia e babait të tij të ndjerë, Gregg Allman, për drogë dhe qëndrime të gjata në hotele luksoze. Megjithatë, gjykatësi theksoi se për shkak të shtrimit në spital, ai aktualisht nuk ka mundësi të aksesojë fondet./mxh
