Last Updated on 07/11/2026 by Anisa
Një prej organizatorëve dhe eksponentëve të Revolucionit Flamingo që ditën e parë, Andi Tepelena, ka akuzuar një tjetër protestues Genti Prognin se fshihet pas marrjes së azilit politik në Kanada, dhe protestën e ka shfrytëzuar për këtë qëllim.
Deklarata e Tepelenës erdhi pasi Genti Progni e akuzoi Tepelenën si sorosist dhe të shitur, pasi sipas tij, Tepelena është takuar me drejtorin e policisë së Tiranës dhe presidentin Bajram Begaj. “Një gilivils”, akuzon Progni për të treguar natyrën e Andi Tepelenës.
Nuk ka vonuar përgjigja e këtij të fundit që thotë se kurrë nuk ka bërë pazare për të shitur “luftën”.
“Përbuz çdo ligësi, status përçarës dhe helm që sjell veç të këqija që investojnë tek kjo përçarje. Por kjo nuk duhet të ndodhë. Unë jam çdo ditë në shesh. Nuk fshihem mbrapa azileve politike, as mbrapa ekraneve të kompjuterave me mijëra kilometra larg nga sheshi betejës për të hedhur vrer dhe përçarë gjënë më të bukur që i ka ndodhur Shqipërisë… PROTESTËN”, shkruan Tepelena duke akuzuar Gent Prognin.
Prej kohësh ata që morën flamurin e organizimit të protestave në Tiranë janë të përcarë dhe hedhin akuza ndaj njeri-tjetrit për shitblerje, nga njëra palë ose tjetra.
Sot në Tiranë, janë paralajmëruar dy protesta të reja: një e partisë Demokratike dhe një e studentëve.
