Një zhvillim i ri ka dalë në dritë lidhur me akuzat e vjetra ndaj këngëtarit të ndjerë Michael Jackson, pasi disa anëtarë të familjes Cascio pretendojnë se janë abuzuar dhe manipuluar prej tij gjatë fëmijërisë.
Katër nga pesë vëllezërit dhe motrat Aldo, Eddie, Dominic dhe Marie Nicole Cascio në një intervistë të publikuar më 24 prill nga New York Times, rrëfyen për herë të parë publikisht marrëdhënien e tyre të ndërlikuar me Jackson. Ata deklarojnë se jo vetëm që janë abuzuar seksualisht, por edhe janë “trajnuar” për ta mbrojtur atë nga akuzat, duke e quajtur veten “ushtarët” e tij.
Sipas tyre, për vite me radhë ata kanë mohuar çdo sjellje të papërshtatshme nga ana e artistit, madje edhe pas vdekjes së tij, përfshirë një paraqitje në emisionin e Oprah Winfrey. Eddie Cascio deklaroi se ata ishin “të shpëlarë nga truri dhe të manipuluar”, duke shtuar se Jackson i kishte mësuar si të reagonin ndaj akuzave.
Familja Cascio kishte krijuar lidhje me këngëtarin në vitet ’80, kur babai i tyre punonte në një hotel në Manhattan ku Jackson qëndronte shpesh. Më pas, marrëdhënia u afrua aq shumë sa fëmijët vizitonin shpesh fermën e tij, Neverland.
Megjithatë, një nga vëllezërit, Frank Cascio, i cili nuk është pjesë e padisë aktuale, kishte shkruar në librin e tij të vitit 2011 se Jackson nuk kishte bërë asgjë të papërshtatshme ndaj tij apo familjes së tij.
Sipas intervistës, disa nga vëllezërit dhe motrat kuptuan më herët se diçka nuk shkonte, ndërsa të tjerë thanë se ndryshuan mendim pasi panë dokumentarin Leaving Neverland në vitin 2019, i cili trajtonte akuza të ngjashme nga persona të tjerë.
Familja kishte arritur një marrëveshje financiare me pasurinë e Jackson në vitin 2020, duke përfituar rreth 16 milionë dollarë në total. Por pasi pagesat përfunduan në vitin 2025, ata nisën përpjekje për kompensim shtesë, duke e çuar çështjen në gjykatë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit ligjorë të pasurisë së Jackson i kanë mohuar kategorikisht akuzat, duke i quajtur ato një “përpjekje për përfitim financiar”. Avokati Marty Singer deklaroi se familja Cascio për më shumë se 25 vite e kishte mbrojtur publikisht Jackson dhe se pretendimet aktuale bien në kundërshtim me deklaratat e mëparshme.
Ndërkohë, një gjyqtar ka sinjalizuar se marrëveshja e vitit 2020 mund të pengojë familjen të ndjekë më tej çështjen në gjykatë, duke sugjeruar zgjidhjen përmes arbitrazhit.
Ky zhvillim vjen në të njëjtën kohë me publikimin e filmit biografik për jetën e Jackson, i cili ka marrë vlerësime pozitive, por edhe kritika për mungesën e trajtimit të këtyre akuzave të diskutueshme./mxh
