Last Updated on 25/04/2026 by Monika
Politologu Ermal Hasimja tregoi sot se ekziston një propozim shumë i detajuar për një marrëveshje mes partive opozitare.
Hasimja tha për A2 CNN se bëhet fjalë për një dakordësi për sistem proporcional kombëtar, me 140 deputetë, me koalicione parazgjedhore dhe lista të hapura.
Sipas politologut, të gjitha këto janë propozime që janë diskutuar brenda PD-së, si partia më e madhe opozitare në vend.
“Kemi një muaj e gjysmë që punojmë me këtë çështje. Kemi takuar kryetarët e partive, por jo vetëm ata. Kemi propozuar që në fillim proporcionalin kombëtar, pastaj kemi marrë një propozim shumë të detajuar nga ‘Shqipëria Bëhet’ për proporcionalin kombëtar. Edhe LZHK na ka paraqitur një propozim të vetin. Kërkonin ose proporcionalin kombëtar, ose kthimin në sistemin e mëparshëm. Propozimi më i plotë ka ardhur nga ‘Shqipëria Bëhet’. Këto propozime i kemi diskutuar edhe me PD-në, si partia më e madhe. Kemi pasur dakordësinë e z.Berisha, duke qenë se me atë kam folur sa herë ka qenë e nevojshme. Kemi një dakordësi për proporcional kombëtar, me 140 deputetë, me koalicione parazgjedhore dhe lista të hapura”,-tha Hasimja./Mxh
