Demi Lovato ka shënuar një arritje të madhe në karrierën e saj, duke u ngjitur për herë të parë si headliner në skenën legjendare të Madison Square Garden në New York.
Koncerti i 24 prillit u zhvillua përpara një salle të mbushur plot, ku fansat e shoqëruan nga fillimi në fund me energji të jashtëzakonshme. Artistja interpretoi disa nga hitet që e kanë shoqëruar ndër vite, si “Heart Attack”, “Give Your Heart a Break” dhe “Cool for the Summer”, por edhe materiale nga albumi i saj më i ri, It’s Not That Deep.
Pas performancës, Lovato e përshkroi eksperiencën si një nga më emocionueset e jetës së saj, duke theksuar lidhjen e fortë që ka me publikun që e ka mbështetur ndër vite.
Mbrëmja u bë edhe më e veçantë falë surprizave në skenë. Ajo solli si të ftuar këngëtaren JoJo, me të cilën interpretoi “Too Little Too Late”, si dhe bashkëshortin e saj Jordan “Jutes” Lutes. Çifti këndoi së bashku për herë të parë live, duke sjellë një version të ndjerë të këngës “Iris” nga Goo Goo Dolls — një këngë që ka një domethënie të veçantë për ta, pasi u interpretua edhe në dasmën e tyre në maj 2025.
Por turneu i saj nuk ka sjellë vetëm suksese në skenë. Në koncertin hapës në Orlando, Florida, Demi përjetoi një moment nostalgjik, duke u ribashkuar me dy figura të rëndësishme të fillimeve të saj: Joe Jonas dhe Selena Gomez.
Me Jonas, ajo riktheu në skenë hitet e “Camp Rock” si “This Is Me” dhe “On the Line”, duke rikthyer kujtimet e një epoke që shënoi fillimin e karrierës së saj. Ndërkohë, Selena Gomez ishte e pranishme në publik dhe më pas u takua me Demi-n prapa skenës.
Artistja u shpreh se këto momente kanë një vlerë të veçantë për të, duke theksuar sa shumë i kishte munguar kontakti me miqtë e vjetër dhe sa e bukur ishte të riktheheshin bashkë, qoftë edhe për pak./mxh
