Ellen DeGeneres po tenton të rikthehet në qendër të vëmendjes në Hollywood, pas disa vitesh larg skenës që pasuan skandalet mbi klimën toksike në emisionin e saj.
Komediania 68-vjeçare është përfolur se do t’i rikthehet një prej roleve më të dashura për publikun, zërit të peshkut Dory, në një projekt të ri të shkurtër të lidhur me botën e “Finding Nemo”, sipas raportimeve të Deadline.
DeGeneres e ka sjellë më parë këtë personazh në filmin e vitit 2003 dhe në “Finding Dory”, i cili u kthye në një fenomen global, duke gjeneruar mbi 1 miliard dollarë të ardhura dhe duke hyrë në listën e animacioneve më të suksesshme ndonjëherë.
Ky projekt mund të shënojë rikthimin e saj më të rëndësishëm në ekran, pas një periudhe të trazuar profesionale. Në vitin 2020, emri i saj u përfshi në një sërë akuzash serioze nga ish-punonjës, që përmendnin bullizëm, diskriminim dhe sjellje të papërshtatshme në prapaskenat e talk show-t të saj.
Pas investigimit të BuzzFeed News, WarnerMedia hapi një hetim të brendshëm, i cili solli largimin e disa drejtuesve të lartë të emisionit. DeGeneres reagoi me një ndjesë publike, duke pranuar përgjegjësi për situatën.
“The Ellen DeGeneres Show” u mbyll në maj të vitit 2022, duke i dhënë fund një epoke 19-vjeçare në televizion. Më vonë, ajo e përshkroi gjithë situatën si një fushatë të ashpër dhe të padrejtë ndaj saj.
Pas kësaj, ajo u rikthye përkohësisht në vitin 2024 me një special në Netflix, i cili nuk arriti të bindte kritikët.
Sa i përket jetës private, Ellen dhe partnerja e saj Portia de Rossi kaluan një periudhë në Mbretërinë e Bashkuar pas zgjedhjeve amerikane të 2024-ës, përpara se të riktheheshin në Kaliforni, ku tashmë jetojnë në një rezidencë luksoze në zonën e Montecito./mxh
