Marrëdhënia mes familjes së David Beckham dhe Victoria Beckham me djalin e tyre të madh, Brooklyn Beckham, vijon të mbetet e tensionuar, me shpresat për pajtim që po zbehen gjithnjë e më shumë.
Sipas burimeve pranë familjes, prej afro një viti nuk ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë mes Brooklyn dhe prindërve të tij, ndërsa situata e distancimit është përshkruar si “e ngrirë”. Edhe pse familja Beckham vazhdon të shfaqet e bashkuar në evente publike, mungesa e djalit të madh ka qenë e dukshme në disa nga momentet më të rëndësishme familjare.
Së fundmi, Victoria Beckham ka qenë në qendër të vëmendjes me lansimin e koleksionit të saj për Gap, si dhe me përfshirjen në listën e 100 personave më me ndikim të revistës Time. Ajo u shfaq e shoqëruar nga bashkëshorti dhe dy fëmijët më të vegjël, Cruz dhe Harper, por pa praninë e Brooklyn.
Burime të brendshme tregojnë se familja është e tronditur dhe e trishtuar nga vazhdimi i kësaj distance, ndërsa shpresat për një pajtim para Kupës së Botës po zbehen. “Gjërat janë të ngrira dhe situata nuk ka ndryshuar,” është shprehur një burim.
Brooklyn, nga ana tjetër, raportohet se ka mbajtur kontakt të kufizuar vetëm me gjyshërit e tij, ndërsa marrëdhënia me prindërit mbetet e ndërprerë. Në fillim të vitit, ai kishte deklaruar publikisht se nuk dëshiron të pajtoheshin për momentin, duke theksuar se po përpiqet të qëndrojë i pavarur në jetën e tij.
Në këtë situatë të ndërlikuar, burimet pranë familjes theksojnë se edhe pse ka pasur mundësi për afrime gjatë muajve të fundit, asnjë hap konkret nuk është bërë drejt pajtimit.
Megjithatë, pavarësisht tensioneve, familja Beckham vazhdon të shprehë publikisht dashuri dhe gatishmëri për një ribashkim të mundshëm në të ardhmen, duke lënë gjithçka të hapur për një zgjidhje që ende duket e largët./mxh
