Një baba është duartrokitur online për mënyrën si reagoi pasi mësuesja e vajzës së tij kërkoi “provë” që ajo ishte me perioda, në mënyrë që të mos merrte pjesë në orën e edukimit fizik.
Historia u bë virale pasi letra e tij u publikua në Reddit nga një mik. Sipas rrëfimit, vajza i kishte thënë mësueses se nuk mund të merrte pjesë në mësim për shkak të dhimbjeve menstruale, por fjala e saj nuk ishte konsideruar e mjaftueshme. Ajo duhej ta “verifikonte” situatën përmes një shënimi nga prindi.
Dhe babai vendosi të përgjigjej, por jo me një fjali të thjeshtë.
Në letër, ai shkroi me ironi se fillimisht kishte menduar të konfirmonte thjesht se vajza ishte me perioda, por më pas kishte kuptuar se edhe ai vetë po mbështetej vetëm te fjala e saj. Dhe nëse fjala e saj nuk mjaftonte për orën e fiskulturës, pse duhej të vlente më shumë kur vinte përmes tij?
Më pas, me një ton sarkastik, ai “shpjegoi”:
“Vendosa të hetoj dhe të shoh nëse mund ta verifikoja këtë ‘fenomen’. Fillova duke kontrolluar koshat e banjës. Ka produkte higjienike të përdorura, por jetoj me tre gra, kështu që kjo nuk më duket provë përfundimtare. Më pas kontrollova koshat e rrobave të palara. Me sa duket, produktet higjienike e bëjnë shumë mirë punën e tyre, sepse nuk gjeta asnjë gjurmë të ‘vizitorit mujor’ në të brendshmet e askujt. Ndërsa po kontrolloja rrobat, më kapi gruaja. Nuk kisha rrugë tjetër veçse t’i shpjegoja çfarë po bëja dhe pse. Ajo është feministe dhe ka rreth 45 minuta që po më flet për patriarkatin. Po dëgjoj shpesh fjalën ‘divorc’ dhe shprehjen ‘do të largohem nga shtëpia’.”
Letra vijon:
“Më kujtohet që XXX më kërkoi të shkoja në dyqan në orën 6 të mëngjesit, të dielën, për të blerë tampona. Supozoj se kishte ndërmend t’i përdorte për qëllimin që ato përdoren, por edhe kjo, në rastin më të mirë, është vetëm një provë rrethanore. Përveçse ta mbaj të shtrënguar dhe të bëj një inspektim vizual të pjesëve intime, nuk jam i sigurt se si mund ta verifikoj këtë për ju.”
Në fund, ai e mbylli letrën duke thënë:
“A mund të biem dakord të dy që t’i besojmë fjalës së saj, që të mos më duhet të përballem njëkohësisht me një divorc DHE një hetim nga shërbimet e mbrojtjes së fëmijëve?”
Reagimet në Reddit ishin të menjëhershme. Shumë përdorues e vlerësuan babain për humorin dhe ironinë, por sidomos për faktin që mbrojti vajzën në një situatë që shumë e konsideruan të panevojshme dhe poshtëruese.
Historia mori kaq shumë vëmendje sepse letra preku çështje të rëndësishme: sa shpesh vajzat dhe gratë ndihen të detyruara të provojnë diçka që lidhet me trupin e tyre, edhe kur fjala e tyre duhet të mjaftojë./mxh
