Vladimir Putin ka konfirmuar vazhdimin e marrëdhënieve strategjike mes Rusisë dhe Iranit gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araqchi në Shën Petersburg.
Putin vlerësoi qëndrueshmërinë e popullit iranian, duke theksuar se ata po luftojnë me guxim për pavarësinë dhe sovranitetin e tyre. Ai shprehu shpresën se Irani do ta kapërcejë këtë periudhë të vështirë dhe se paqja do të rikthehet së shpejti në rajon.
Presidenti rus deklaroi gjithashtu se Moska është e gatshme të bëjë gjithçka për të kontribuar në arritjen e paqes në Lindjen e Mesme, duke theksuar se qëndrimi i Rusisë në këtë drejtim është i qartë.
Nga ana e tij, kryediplomati iranian konfirmoi se marrëdhëniet mes dy vendeve do të vazhdojnë të forcohen, duke i cilësuar ato si një partneritet strategjik në nivelin më të lartë. Ai falënderoi Rusinë për mbështetjen e saj ndaj Iranit në kohë të vështira.
Takimi vjen në një moment tensionesh të larta në rajon, pas sulmeve të fundit nga SHBA dhe Izraeli ndaj Iranit, ndërsa Rusia ka ofruar ndërmjetësim për të ulur përshkallëzimin dhe për të rikthyer stabilitetin./mxh
