Autoritetet në Sri Lanka kanë arrestuar 22 murgj në Aeroportin Ndërkombëtar të Kolombos, pasi në bagazhet e tyre u gjet një sasi e madhe kanabisi, rreth 110 kilogramë.
Sipas policisë, droga ishte fshehur në mënyrë të sofistikuar brenda valixheve, në hapësira të krijuara posaçërisht. Secili prej tyre mbante rreth 5 kilogramë kanabis të llojit “Kush”.
Murgjit, shumica prej tyre studentë, po ktheheshin nga një udhëtim disa ditor në Tajlandë, që dyshohet se ishte organizuar dhe financuar nga një person i paidentifikuar. Autoritetet kanë arrestuar edhe një tjetër murg, i dyshuar si organizator i udhëtimit, i cili nuk kishte udhëtuar me grupin.
Hetimet paraprake tregojnë se disa prej tyre mund të jenë mashtruar, pasi u është thënë se në bagazhe kishte dhurata që do të merreshin nga persona të tjerë pas mbërritjes.
Telefonat e të arrestuarve janë sekuestruar dhe po kontrollohen, ndërsa në to janë gjetur pamje nga udhëtimi në Tajlandë.
Gjykata ka vendosur që 22 murgjit të mbeten në paraburgim për shtatë ditë, ndërsa hetimet për rastin vijojnë. Autoritetet e konsiderojnë këtë një nga rastet më të pazakonta të trafikut të drogës në aeroportin e vendit./et
