Last Updated on 27/04/2026 by Monika
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço i ftuar në Top Channel ka folur për atentatin e së shtunës ndaj çiftit Mujeci në Balldren të Lezhës.
Karamuço tha se në rastet e gjakmarrjeve bëhen gjyqe private dhe merren vendime me vdekje.
Sa u përket autorëve të mundshëm, eksperti u shpreh se janë zbuluar në një kohë rekord dhe dyshohet që mund të kenë ikur drejt Kosovës.
Duke u ndalur te viktimat, Karamuço tha se sipas informacioneve autorët nuk e dinin që në makinë ndodhej dhe bashkëshortja e Mujecit sepse makina ishte me xhama të zinj.
“Përveç gjyqeve, institucioneve që gjykohen nga prokuroria, bëhen edhe gjyqe private dhe merren vendime. Shqyrtohen me njëri-tjetrin, kanë marrë vendimin dhe në fund marrin vendimin me vdekje. Më vjen keq se ka humbur jetën edhe bashkëshortja, duke i lënë katër fëmijët jetim. Thuhet që autorët nuk e dinin që bashkëshortja ishte në makinë, sepse makina i kishte xhamat e zinj.
Një person e ka bërë këtë. Ai që është në kërkim, mendohet, deri tani janë të gjitha aludime dhe hipoteza, mendohet se ishte në kërkim për tentativë vrasje dhe si duket, këta që janë moshë më e vogël kanë thënë: ‘Kemi një problem, ti je në kërkim për vrasje, armët i kemi…’. Nuk kanë dashur të fshihen shumë.
U zbulua për 12 orë. Nuk ka bërë vaki që një ngjarje e tillë të zbulohet për 12 orë. Është gjetur makinë e marrë me qira thotë policia, e padjegur. Tani do të shikohet sepse mendohet se mund të kenë ikur edhe në Kosovë. Të paktën janë të identifikuar”, tha Karamuço./mxh
