Puna në shtet po bëhet gjithmonë e më e preferuar dhe duket se përtej “rehatisë” që citohej dikur rëndom si arsye në bisedat e përditshme, duket se rol po luan trajtimi më i mirë financiar. Zyrtarisht Instituti i Statistikave raportoi në mars se shteti paguan 30 për qind më shumë se privati duke thelluar hendekun në vitin që lamë pas.
Raporti Vjetor 2025 i Departamentit të Administratës Publike (DAP) tregon një rritje të ndjeshme të interesit për punësim në shërbimin civil, ndërsa paralelisht është shënuar një rënie e dorëheqjeve dhe largimeve nga sistemi.
Mesatarja e aplikantëve për çdo pozicion pune arriti në 20 gjatë vitit 2025, nga 17.55 një vit më parë. Për procedurën e pranimit në shërbimin civil, kjo mesatare u rrit në 23.4 aplikantë për vend pune, nga 20.3 në vitin 2024, duke sinjalizuar rritje të konkurrencës për hyrje në administratë.
Në të njëjtën kohë, dorëheqjet u tkurrën me 19.3%, duke rënë nga 140 raste në vitin 2024 në 113 në vitin 2025. Edhe numri total i lirimeve nga shërbimi civil shënoi rënie të ndjeshme me 32.8%, nga 396 në 266 raste.
DAP e lidh këtë dinamikë me konsolidimin e procesit të rekrutimit dhe rritjen e transparencës. Në raport theksohet se proceset janë përmirësuar përmes “implementimit të masave për thjeshtimin e procesit dhe rritjen e transparencës, nëpërmjet portalit online të rekrutimit për aplikantët”, si dhe përmes publikimit të materialeve orientuese dhe pjesëmarrjes në panaire pune.
Paralelisht me këtë trend, viti 2025 u shoqërua edhe me zbatimin e reformës së pagave në administratën publike, përfshirë rritjen e pagave që hyri në fuqi më 1 korrik për të gjithë administratën. Kjo reformë ka rikonfiguruar pozicionin e sektorit publik në tregun e punës, duke e bërë atë më konkurrues për profesionistët.
Në një ekonomi ku sektori privat vijon të përballet me mungesë fuqie punëtore dhe emigracion të lartë, administrata publike po shfaqet gjithnjë e më qartë si një nga punëdhënësit më të preferuar në vend./monitor.al
