Last Updated on 12/11/2026 by EL
Nga Ylli Pata
Qëndrimet acide të Sali Berishës ndaj një gazetare që njohet e afërt me opozitën prej vitesh, sipas të gjitha gjasave nuk kishin të bënin me të, edhe pse ndoshta në ca pjesë edhe mund të kishte të bënin.
Doktori ka vijuar të shpalosë vijën e tij të nisur më shumë se një javë më parë, kur sulmoi emër për emër të gjithë protagonistët e opozitës së re.
Të cilëve u ndalohet të hyjnë në territorin elektoral të Partisë Demokratike, për të bërë sit ë duan, tani që po nis stina elektorale e politike.
Me përjashtim nga Arlind Qori, thuajse i gjithë mjedisi opozitar është hedhur fort në mjedisin radikal anti-Rama, duke tentuar të marrin protagonizmin e simpatitë e qëndrimit më të egër të mundshëm.
I gjithë ky kontigjent është i dobishëm në një luftë për jetë a vdekje ku qëllimi është rrëzimi i Edi Ramës, krijimi i një mjedisi të përshtatshëm për të sjellë një irruptim të qeverisë dhe mazhorancës me mjete të egra dhe radikale. Ku siç e pamë, për një muaj e gjithë Tirana u përfshi në flakë vetëm me qëllimin për të rrëzuar Edi Rama.
Dështimi i këtij qëllimi me mjete ushtarake, ka sjellë sipas të gjitha gjasave një forcim të mazhorancës, pasi siç dihet ajo që nuk të vret të bën më të fortë.
Ndërkohë që opozita, e organizuar për operacione ushtarake, tani mbetet e zbuluar në operacionet politike e elektorale.
Përveç faturës së dhunës, opozita laramane po hyn egër në një garë për zgjedhjet lokale, ku po dalin edhe pse me ndrojtje elementet e grupimet e reja politike. Që nga Forumi për Dialog e deri te Rinia Nacionaliste. Shto kësaj, elementet e partive të reja që tani të tilla nuk janë, rreziku në këtë mjedis është bërë eminent.
Shpërthimi i Berishës në konferencë shtypi, përplasje ndërmjet Gazment Bardhit e Adriatik Lapajt te Fevziu e sot shfryrja ndaj gazetares së njohur opozitare, nuk janë gjë tjetër veçse një tentim për të vënë rregull në armatën e protagonistëve që po bëhen gati për zgjedhje.
Logjika se për të qenë popullor duhet të jenë më katolikë se Papa, pra më radikal se Berisha, është pa sens.
Flamingot, nëse patën një tërheqjeje javët e para, ishte se brenda tyre kishte edhe pjesë të së majtës apo grupeve që kanë qenë pranë mazhorancës. Qëndrimet e egra e radykale larguan pikërisht të pakënaqurit apo kontestatorët logjikë ndaj mazhorancës. Me të cilët, logjikisht duhet të kishte folur e diskutuar pikërisht “elita e re politike”. E cila kishte shansin të niste një gjuhë të re me publikun, të shpaloste një diskurs Europian me qytetarët, si dhe nxjerrjen e ideve më të reja për njerëzit.
Por nga ajo që pamë ishte një lloj berishizmi hybrid që synonte të kapte simpatinë e grupeve elektorale që urrejnë Edi Ramën dhe Partinë Socialiste.
Sali Berisha, pasi duroi gjatë se mos përfitonte nga një lëvizje që vetë nuk arrin dot ta udhëheqë, bëri thirrje që të qëndrojnë larg nga fansat e tij.
A është kjo manovër, një grusht mbi tavolinë për të dëgjuar të gjithë që bëjnë si më katolik se Papa? Natyrisht që është e tillë, por problem mbetet brenda, ngaqë aktorët që kanë veshur apo vendosur parrugen e Maratit e Roberspierit, në realitet kanë folur e diskutuar si një klon politik i Sali Berishës.
Origjinali ka bërtitur, duke shpallur të mbyllur konkursin e imituesve të tij. Kabareja ka marrë fund…
