Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Andrei Belousov, ka deklaruar se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën po bie, ndërsa vendet evropiane po rrisin ndjeshëm ndihmën ushtarake për Kievin.
Duke folur gjatë një takimi të ministrave të mbrojtjes të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Bishkek të Kirgistanit, Belousov tha se Bashkimi Evropian po “zhytet gjithnjë e më thellë në konflikt”, duke ofruar financime dhe armë për Ukrainën.
Ai akuzoi vendet evropiane për furnizimin e dronëve dhe komponentëve ushtarakë që, sipas tij, përdoren në sulme ndaj territorit rus. Ministri rus shtoi se Moska po monitoron me kujdes zinxhirët e prodhimit dhe logjistikës së këtyre furnizimeve dhe se disa prej tyre i ka bërë publike më herët.
Belousov paralajmëroi gjithashtu se veprime të tilla mund të çojnë në një përshkallëzim të ndjeshëm të situatës ushtarake dhe politike në të gjithë kontinentin evropian, me “pasoja të paparashikueshme”.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë tensionesh të vazhdueshme mes Rusisë dhe Perëndimit lidhur me luftën në Ukrainë, ndërsa Moska vazhdon të kritikojë ashpër mbështetjen ushtarake për Kievin nga aleatët evropianë dhe NATO./mxh
