Një grua, e cila ishte gjendur e vrarë në Francë më shumë se 20 vite më parë është identifikuar më në fund nga autoritetet, ndërsa një i dyshuar për vrasjen e saj është arrestuar.
Viktima është Hakima Boukerouis, e cila u bë personi i pestë i identifikuar në kuadër të fushatës ndërkombëtare “Operation Identify Me”, e nisur në vitin 2023.
Trupi i saj ishte zbuluar në janar të vitit 2005 në verilindje të Francës, në fshatin Saint-Quirin, i fshehur në një fuçi uji dhe i mbështjellë me qese plastike të zeza. Për vite me radhë, policia nuk kishte arritur ta identifikonte dhe ajo njihej vetëm si “gruaja me kurorën dentare Richmond”, për shkak të një ndërhyrjeje dentare të shtrenjtë, që besohej se ishte kryer në Gjermani.
Sipas Interpol-it, zbulimi i identitetit të saj u bë i mundur falë teknikës së kërkimit përmes ADN-së familjare, duke sjellë një përparim të rëndësishëm në këtë çështje të vjetër. Ky është gjithashtu rasti i parë në kuadër të këtij hetimi, ku është arrestuar një i dyshuar për vrasje. Autoritetet franceze nuk kanë bërë publik emrin e personit të arrestuar, ndërsa hetimet dhe procedurat gjyqësore janë ende në vazhdim.
Raportimet lokale tregojnë se Boukerouis ishte 34 vjeçe në kohën e vdekjes dhe kishte lindur në Algjeri. Rasti i saj është pjesë e një nisme më të gjerë që synon identifikimin e 47 grave të gjetura të vdekura në rrethana të dyshimta në disa vende të Europës.
Fushata “Operation Identify Me” ka sjellë rihapjen e shumë rasteve të vjetra, duke shpërndarë të dhëna si gjurmë gishtash dhe duke publikuar njoftime ndërkombëtare për trupat e paidentifikuar. Deri më tani janë identifikuar disa viktima, por 42 gra të tjera mbeten ende pa identitet. Shumica prej tyre besohet të jenë vrarë dhe të kenë qenë të moshës 15 deri në 30 vjeçe në kohën e vdekjes.
Interpol thekson se migrimi global dhe trafikimi i qenieve njerëzore kanë vështirësuar identifikimin e viktimave, duke bërë që shumë persona të zhdukur të mos identifikohen lehtësisht./mxh
