Last Updated on 05/11/2026 by EL
Gjashtë vite nga arrestimi i katër ish-krerëve të UÇK-së, Organizata e Veteranëve të Luftës ka organizuar një aksion simbolik përpara zyrave të Bashkimit Evropian në Prishtinë.
Në godinën e BE-së janë vendosur mbishkrimet: “Serbia na masakroi popullin, Gjykata Speciale na masakroi të vërtetën!” dhe “Evropë, u bënë 6 vjet që po e tradhton besimin e Kosovës në drejtësinë tënde!”
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se e kanë bërë këtë aksion për të shprehur mllefin dhe pakënaqësinë që kanë ndaj Gjykatës Speciale, të cilën ai e ka quajtur të padrejtë.
Veteranët kanë theksuar edhe njëherë se gjatë procesit nuk është faktuar asgjë për të cilën janë akuzuar krerët e UÇK-së.
Ata i janë drejtuar edhe Asociacionit të Komunave të Kosovës me kërkesën që kryetarët e komunave, së bashku me administratat komunale, të dalin para objekteve të komunave në të njëjtën orë, për të shprehur solidaritetin.
Aktiviteti kishte për synim të dëshmonte se qytetarët dhe organizatat e dala nga lufta nuk janë indiferentë ndaj procesit gjyqësor që po zhvillohet në Hagë.
Ata edhe njëherë kanë shprehur zhgënjim pas kthimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke e cilësuar këtë zhvillim si të papranueshëm.
Edhe platforma “Liria ka emër” i është drejtuar Parlamentit Evropian me kërkesa, mes tyre edhe mbajtjen e një dëgjimi parlamentar nga Parlamenti, që ka të bëjë me respektimin e të drejtave themelore gjatë procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga ana e Dhomave të Specializuara.
Katër ish-krerët e UÇK-së, në shkallën e parë të gjykatës, janë dënuar me 81 vjet burgim./ET
