Last Updated on 28/04/2026 by Monika
Gjykata e Lartë ka urdhëruar Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve që të marrë një vendim lidhur me mandatin e kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdarit. Ky i fundit rezulton në detyrë dhe i dënuar për veprën penale të falsifikimit të formularëve, vulave e stampave.
“Në rastin konkret, vendimi nr. 01, datë 05.01.2024, nuk i ka dhënë një zgjidhje përfundimtare çështjes, por e ka kthyer çështjen për rishqyrtim pranë KSHZ. KAS nuk ka nxjerrë një akt përfundimtar në kuptimin material, por një vendim procedural që shfuqizon vendimin e Komisionerit dhe e kthen çështjen për rishqyrtim pranë tij. Akti administrativ që kundërshtohet nuk përcakton të drejta përfundimtare dhe, si i tillë, nuk e mbyll procedimin. Në rastin konkret, KAS e ka kthyer çështjen për rishqyrtim te Komisioneri, i cili duhet të vendosë nëse është rasti për pezullimin e shqyrtimit, derisa gjykata të marrë vendim të formës së prerë lidhur me kallëzimin për falsifikim të formularit nga ana e subjektit vetëdeklarues dhe nëse vendimi i GJKKO-së ka marrë formë të prerë, për sa u deklarua në seancë përgatitore nga palët, të shprehet përfundimisht nëse paditësi përfshihet në kushtet e ndalimit për të ushtruar funksionin publik të Kryetarit të Bashkisë Kuçovë. Sa më sipër u arsyetua, gjykata vlerëson nxjerrjen e çështjes administrative jashtë juridiksionit gjyqësor të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe dërgimin e çështjes për vazhdimin e shqyrtimit administrativ pranë organit administrativ, Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve”,-argumentohet në vendim.
Në janar të vitit 2024, GJKKO dënoi Kreshnik Hajdarin me 9 muaj burg, duke e shpallur fajtor për akuzën “falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë lidhur me mosdeklarimin e procesit gjyqësor ndaj tij në Greqi. Por dënimi u konvertua nga togat e zeza me 150 orë punë./mxh
