Taylor Swift ka ndërmarrë një hap të pazakontë ligjor duke aplikuar në Zyrën Amerikane të Patentave dhe Markave Tregtare (USPTO) për të regjistruar zërin e saj si markë tregtare. Kjo lëvizje synon të parandalojë përdorimin e paautorizuar të identitetit të saj vokal në një kohë kur inteligjenca artificiale po përdoret gjithnjë e më shumë për të imituar zëra të njohur.
Sipas dokumenteve të paraqitura, këngëtarja ka dorëzuar dy regjistrime audio që hapen me shprehjen “Hej, është Taylor”, të përdorura për të prezantuar albumin e saj më të fundit, “The Life of a Showgirl”, i publikuar në fillim të tetorit. Aplikimi përfshin gjithashtu një imazh të artistes gjatë një performance skenike.
Përfaqësuesit e Swift nuk kanë komentuar publikisht mbi këtë iniciativë, por ajo vjen në një moment kur shqetësimet për manipulimin e zërit dhe imazhit përmes AI-së janë në rritje. Në vitin 2024, artistja reagoi pasi një imazh i rremë i saj u përdor në një kontekst politik, duke ngritur alarmin për rrezikun e dezinformimit.
Swift nuk është e vetmja që po ndërmerr hapa të tillë. Aktori Matthew McConaughey ka bërë një kërkesë të ngjashme për të mbrojtur zërin e tij, ndërsa raste të tjera, si ai i Scarlett Johansson, kanë përfunduar edhe në përballje ligjore për përdorimin e paautorizuar të imazhit digjital.
Megjithëse disa shtete në SHBA kanë miratuar ligje për të kufizuar këto praktika si Akti ELVIS në Tenesi mbrojtja ligjore mbetet ende në zhvillim dhe rastet gjyqësore janë të kufizuara.
Hapi i Taylor Swift konsiderohet si një përpjekje për të vendosur standarde të reja në mbrojtjen e identitetit artistik në epokën e inteligjencës artificiale./mxh
