Last Updated on 29/04/2026 by Anisa
Pensionistët janë ata që ndërtuan këtë vend me vite pune dhe sakrificash. Sot, shpërblimi i tyre është një pension që mezi mjafton për ilaçet, ndërsa ushqimi mbetet një luks i llogaritur me kujdes.
Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, çdo datë 29-30 të muajit ata duhet të përmbushin edhe një “detyrë shtesë”: të presin në radhë për abonenë e transportit publik. Jo për një shërbim ekstra. Jo për një privilegj. Por për një të drejtë minimale.
Në vend që të jetojnë pleqërinë me dinjitet, qëndrojnë me orë të tëra në këmbë, në radhë që të kujtojnë një realitet që menduam se e kishim lënë pas radhët për mbijetesë.
Në botë, njerëzit presin në radhë për luksin: marka të shtrenjta, koncerte, teatro. Në Shqipëri, pensionistët presin për një biletë autobusi.
Dhe ndërkohë, në vitin 2026, ende nuk kemi një sistem elementar ku karta thjesht kontrollohet në autobus. Teknologjia ekziston. Paratë mund të jenë aty. Por zgjidhja… mungon. Sepse këtu, problemi nuk është teknologjia. Është prioriteti.


