Last Updated on 29/04/2026 by EL
Oficerët e Policisë së Shtetit në Itali ekzekutuan urdhrin e Gjykatës së Frosinone dhe dëbuan “me ceremoni” nga vendi një 20-vjeçar shqiptar, që kishte shkuar si turist, por u kap në trafik dhe shpërndarje kokaine.
Teksa e shoqëruan për në aeroportin e qytetit, oficerët e hipën në avionin e parë të linjës drejt Tiranës dhe më pas kthimin e tij në vendbanim, në Durrës.
Gjithashtu ndaj tij është lëshuar urdhri “non grata” që e ndalon për të paktën 5 vitet e ardhshme që të futet në Itali apo zonën Shengen.
“Largimi me forcë u vendos pas një vlerësimi të kujdesshëm të profilit të njëzetvjeçarit. U konstatua se ai përbënte një “rrezik shoqëror” të konsiderueshëm, i përkeqësuar nga mungesa e plotë e lidhjeve të qëndrueshme familjare ose të punës në Itali që mund të justifikonin në ndonjë mënyrë praninë e tij të vazhdueshme në vend”, njoftuan autoritetet.
Në fund të muajit mars, 20-vjeçari u arrestua nga forcat e rendit. Gjatë një kontrolli, ai u kap duke transportuar ilegalisht 44 doza kokaine, me një peshë totale prej 25 gramë, të cilat i kishte fshehur me zgjuarsi brenda automjetit me të cilin po udhëtonte.
Urdhri për dëbim të menjëhershëm në kufi u nënshkrua zyrtarisht më 27 prill nga Komisioneri i Policisë së Provincës së Frosinone.
Në dritën e provave dhe dënimeve të mëparshme të shtetasit të huaj, Gjykata e vërtetoi plotësisht urdhrin, duke zbatuar menjëherë riatdhesimin, i cili ndodhi vetëm pak orë më pas./et
