Këngëtarja e suksesshme Taylor Swift bëri të ditur se frymëzimi për krijimin e këngëve të saj mund t’i vijë në vendet më të papritura.
Ajo ka detajuar historitë dhe procesin që fshihet pas disa prej hiteve të saj më të mëdha, duke filluar nga hitet si “Love Story”, te “Clara Bow”. Fituesja e çmimit Grammy flet hapur në një intervistë për revistën The New York Times për momentet që e shtynë të krijohej një këngë dhe kuptimin e fshehur pas disa prej teksteve të saj më të mira.
“Ka kaq shumë mënyra të ndryshme se si fillon një këngë në botën time”, u shpreh Swift.
Ajo gjithashtu dha një pasqyrë të krijimit të këngës “Elizabeth Taylor” nga albumi i saj më i fundit “The Life of a Showgirl”.
“Po udhëtoja në makinë me Travisin. Vazhdoja e vazhdoja t’i shpjegoja Travisit pse e dua kaq shumë Elizabeth Taylor. Ajo luftoi për të drejtat e artistëve. U shfrytëzua në kaq shumë mënyra, e megjithatë e ruajti humanitetin e saj. E ruajti humorin e saj. E ruajti pasionin për jetën. Unë thjesht vazhdoja e vazhdoja pafundësisht”, shpjegoi Taylor Swift duke iu referuar udhëtimeve me të fejuarin e saj, Travis Kelce.
Ajo gjithashtu shpjegoi se i erdhi frymëzimi pikërisht teksa ishte e ulur në makinë.
“I thashë vetes, ‘Sytë e saj ishin vjollcë. Disa njerëz thanë se ishin blu. Disa njerëz thanë se ishin vjollcë. Unë mendoj se ishin vjollcë’. Mbërritëm në shtëpi. Ai zbriti nga makina dhe unë isha vetëm në mendjen time, vetëm kjo melodi ndërhyrëse… Dhe po nxitoja të hapja aplikacionin tim të regjistrimit në telefonin tim.”
Kënga, e cila përmend dhe i dedikohet aktores ikonike të Hollivudit, është kënga e dytë në albumin e 12-të të yllit të popit, i cili u publikua në tetor.
Gjatë promovimit të albumit të saj, Swift tregoi se kishte kontaktuar trashëgimtarët e Elizabeth Taylor për të marrë leje për të publikuar këngën, e cila përmban referenca të shumta në tekst për aktoren.
Nga ana tjetër, djali i Taylor, Christopher Wilding, tha për People se e vlerësoi këngën dhe se e dëgjoi menjëherë sapo ajo u publikua.
“Ajo dhe mamaja ime duken si shpirtra të ngjashëm. Të dyja janë mishërimi i fuqizimit femëror. Mënyra se si Swift ka kapur me mjeshtëri ngjashmëritë dhe rrugët paralele në karrierat dhe jetën e tyre personale është e mrekullueshme”, pohoi ai.
Pjesa më e madhe e albumit të fundit të Swift besohet se është rreth romancës së saj me Kelce, me të cilën ajo filloi të dilte në vitin 2023. Çifti njoftoi fejesën e tyre gushtin e kaluar./mxh
