Evropa, në një përqindje dërrmuese prej të paktën 95%, përjetoi në vitin 2025 temperatura vjetore mbi mesataren, me valë të nxehti që prekën pjesë të mëdha të kontinentit, nga Mesdheu deri në Arktik.
Këto gjetje u publikuan në raportin vjetor për gjendjen e klimës në Evropë për vitin 2025, të hartuar nga Qendra Evropiane për Parashikime Afatmesme të Motit (ECMWF), që zbaton shërbimin Copernicus për Ndryshimet Klimatike, dhe Organizata Botërore Meteorologjike (WMO).
Një pjesë e madhe e Evropës përjetoi më shumë ditë me stres të lartë nga nxehtësia krahasuar me mesataren, me Spanjën Jugore dhe Lindore që regjistruan deri në 50 ditë më shumë se mesatarja me temperatura mbi 32°C. Gjithashtu, temperaturat minimale mbetën mbi mesataren për pjesën më të madhe të vitit.
Toka rrezikon të kalojë kufirin simbolik të ngrohjes prej 1.5°C brenda tre vjetësh
Raporti i zjarreve në Evropë për 2024: Shqipëria pësoi humbjet më të rënda
Një rekord valë të nxehti tre-javore goditi Norvegjinë, Suedinë dhe Finlandën subarktike, me temperatura që në disa raste brenda dhe pranë Rrethit Arktik kaluan 30°C. Në zonën Frosta të Norvegjisë u regjistrua temperatura 34.9°C. Në korrik dhe fillim gushti, nxehtësi ekstreme preku edhe Evropën Juglindore.
Sipas raportit, gjatë 30 viteve të fundit Evropa është ngrohur dy herë më shpejt se mesatarja globale, duke u bërë kontinenti që ngrohet më shpejt në botë. Evropa Lindore dhe Juglindore po ngrohen më shpejt se Evropa Perëndimore, ndërsa Svalbardi në Arktikun evropian është një nga rajonet me ngrohjen më të shpejtë në botë.
Humbja e borës dhe akullit
Temperaturat mbi mesataren dhe reshjet nën mesataren në vitin 2025 çuan në humbje të madhe të borës dhe akullit.
Në mars 2025, sipërfaqja e mbuluar me borë në Evropë ishte rreth 1.32 milion km² nën mesataren (31%), një zonë e barabartë me sipërfaqen e Francës, Italisë, Gjermanisë, Zvicrës dhe Austrisë së bashku. Kjo shënoi nivelin e tretë më të ulët që nga fillimi i matjeve në vitin 1983.
Edhe akullnajat në të gjitha rajonet evropiane pësuan humbje mase, ndërsa Islanda regjistroi humbjen e dytë më të madhe të akullnajave ndonjëherë. Groenlanda humbi 139 miliardë ton akull, duke kontribuar në rritjen e nivelit global të detit.
Rritje e temperaturës së detit dhe rrezik për biodiversitetin
Temperatura mesatare vjetore e sipërfaqes së detit në Evropë ishte më e larta e regjistruar ndonjëherë, duke shënuar vitin e katërt radhazi me rekord. Kjo tendencë afatgjatë po dëmton biodiversitetin dhe ekosistemet detare.
Valët detare të të nxehtit prekën 86% të oqeanit evropian, me 36% të zonës që përjetoi kushte të rënda ose ekstreme.
Në Mesdhe, të paktën një ditë me valë detare të forta është regjistruar çdo vit gjatë tre viteve të fundit.
Zjarre, përmbytje dhe ngjarje ekstreme
Sipërfaqja e djegur nga zjarret arriti rekord, rreth 1.035 milion hektarë, së bashku me emetimet nga zjarret.
Në Evropën Juglindore, Qiproja, Turqia dhe disa vende të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, Bullgarinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, përjetuan emetime mbi mesataren gjatë korrikut dhe gushtit, me Qipron që shënoi rekord vjetor.
Në Evropën Jugperëndimore, zjarret në veriperëndim të Spanjës dhe në veri të Portugalisë në mes të gushtit gjeneruan emetime shumë mbi mesataren, duke kontribuar rreth gjysmën e totalit evropian të emetimeve nga zjarret për vitin. Spanja shënoi një rekord të ri vjetor.
Në Evropën Veriore, emetimet vjetore nga zjarret në Mbretërinë e Bashkuar, Holandë dhe Gjermani ishin gjithashtu më të lartat e regjistruara ndonjëherë./mxh
