Estonia po përgatitet të mbrohet nga ushtarët rusë, edhe pas përfundimit të luftës në Ukrainë.
Vendi i vogël baltik ka bllokuar këtë vit rreth 1 mijë e 300 ish-luftëtarë rusë nga hyrja në territorin e tij, sipas Ministrisë së Jashtme. Tani, ai po i kërkon Brukselit të ndalojë hyrjen në BE të ish-ushtarëve rusë dhe t’i mbajë ata jashtë edhe pas përfundimit të luftës.
“Ju nuk mund t’i lejoni këta njerëz që kryejnë krime, që përdhunojnë gra, që vrasin fëmijë dhe civilë në fushën e betejës, të vijnë në Evropë”, tha ministri i Mbrojtjes i Estonisë Hanno Pevkur për POLITICO.
“Nuk është çështje e Estonisë, është çështje e sigurisë evropiane”, shtoi ai.
Estonia e ngriti për herë të parë idenë në një takim të ministrave të jashtëm të BE-së në janar. Edhe pse kritikët paralajmërojnë se një ndalim i përgjithshëm mund të prekë edhe rekrutët e detyruar apo dezertorët, propozimi mori mbështetjen e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ish-kryeministre e Estonisë.
Në fund të marsit, liderët e vendeve të BE-së i kërkuan Komisionit Evropian të shqyrtojë “mundësitë për të adresuar” këtë çështje. Kallas ka premtuar propozime konkrete para samitit të BE-së në qershor.
Edhe Lituania ka premtuar të mbajë një listë të zezë, së bashku me kufizime të rrepta hyrjeje që në praktikë përbëjnë një ndalim thuajse total për shtetasit rusë.
“Nga Bucha në Bruksel”
Estonia e paraqet propozimin si një domosdoshmëri sigurie dhe morale.
“Personat që kryejnë krime lufte nuk duhet të ecin në territorin evropian”, tha Pevkur.
Zyrtarët estonezë paralajmërojnë se ish-ushtarët mund të rekrutohen nga shërbimet e sigurisë së presidentit rus Vladimir Putin për sabotazh apo spiunazh në Evropë.
“Jam i sigurt se Putin do t’i shtyjë këta njerëz drejt Evropës”, tha ministri i Jashtëm estonez Margus Tsahkna. “A mund ta imagjinoni qindra mijëra ish-luftëtarë dhe kriminelë që vijnë këtu?”
Ai shtoi: “Ata nuk do të vijnë vetëm për të punuar dhe për të paguar taksa. Jo, do të bëjnë gjëra të këqija.”
Zyrtarët argumentojnë gjithashtu se ata që kanë luftuar në një ushtri të akuzuar për mizori, përfshirë vrasje dhe tortura në vende si Bucha pranë Kievit, nuk duhet të shpërblehen me hyrje në BE.
“Nuk mund të ketë një rrugë nga Bucha në Bruksel”, tha Tsahkna.
Ndalim i përgjithshëm
Estonia e përkufizon “ish-luftëtarët” në mënyrë të gjerë, duke përfshirë të gjithë të përfshirët në luftën e Rusisë, nga trupat e rregullta deri te grupet proxy si mercenarët e Wagner-it.
Kjo përfshin qindra mijëra të mobilizuar që nga viti 2022 dhe dhjetëra mijëra dezertorë që rrezikojnë burgun.
Pevkur hodhi poshtë shqetësimet se një ndalim i përgjithshëm do të penalizonte edhe ata që janë rekrutuar me forcë, duke thënë: “Para se të bashkohen me ushtrinë ruse, ata kanë mundësi të largohen.”
Megjithatë, Estonia më parë ka deklaruar se shmangia e rekrutimit nuk është arsye për azil, duke sugjeruar që kundërshtimi duhet të bëhet brenda Rusisë.
Sipas të dhënave të pavarura, rreth 300 mijë burra rusë janë mobilizuar, ndërsa mijëra janë vrarë në luftë.
Rreziku i veteranëve
Studiuesi ushtarak Joris van Bladel nga Egmont Institute tha se veteranët që kthehen “përbëjnë një grup rreziku”.
Ai paralajmëroi se rreth 1 milion ushtarë që kthehen pas luftës mund të krijojnë probleme sociale në Rusi.
Megjithatë, ai shtoi se ndikimi kryesor do të jetë brenda Rusisë dhe paralajmëroi Evropën të mos ekzagjerojë rrezikun:
“Rreziku është që të krijohet paranojë dhe të shihen të gjithë rusët si kërcënim.”
Aktivistët rusë për të drejtat e njeriut paralajmërojnë se ndëshkimi i dezertorëve i dekurajon ata të largohen nga lufta.
Në të njëjtën kohë, largimi nga mobilizimi mund të sjellë dënime deri në 15 vite burg.
Në këtë çështje, si Kremlini ashtu edhe kritikët e tij duket se bien dakord për një gjë: largimi nga lufta është i rrezikshëm./mxh
