Rosalía do të nderohet si Kantautorja Ndërkombëtare e Vitit në ceremoninë e çmimeve Ivor Novello Awards 2026.
Ky vlerësim vjen pas një periudhe suksesi të madh global për 33-vjeçaren katalanase.
Vitin e kaluar ajo publikoi albumin e saj të katërt, Lux, i cili mori vlerësime të gjera nga kritika dhe përfshiu hite në top-listat britanike si “Reliquia”, “La Perla” dhe “Berghain”, ky i fundit në bashkëpunim me ikonën islandeze Björk dhe muzikantin amerikan Yves Tumor. Profilin e saj ndërkombëtar e forcoi edhe më shumë çmimi si Artiste Ndërkombëtare e Vitit në Brit Awards.
Drejtori ekzekutiv i Akademisë Ivor, Roberto Neri, vlerësoi arritjet e saj duke thënë se ajo ka “magjepsur zemrat dhe mendjet e publikut në mbarë botën”. Ai shtoi se Rosalía ka thyer kufij gjuhësorë dhe kulturorë, duke përdorur tekste në më shumë se 13 gjuhë dhe duke reflektuar një perspektivë gjithnjë e më globale në muzikë.
Albumi Lux konsiderohet dëshmi e fleksibilitetit të saj gjuhësor dhe artistik, me këngë në anglisht, spanjisht, arabisht dhe gjermanisht.
Kryetari i Akademisë Ivor, Tom Gray, tha se Rosalía po ripërcakton se çfarë mund të jetë krijimi i këngëve, duke kombinuar traditën me eksperimentin dhe duke krijuar vepra me ndikim të fortë emocional dhe artistik.
Çmimet Ivor Novello mbajnë emrin e kompozitorit dhe aktorit uellsian të fillimit të shekullit XX Ivor Novello dhe jepen nga Akademia Ivor. Ato u dhanë për herë të parë në vitin 1956./mxh
