Last Updated on 01/05/2026 by Kesjana
Pamje të reja nga kamerat e sigurisë kanë zbuluar momentin kur sulmuesi arriti të depërtojë përmes një pike kontrolli sigurie në vetëm katër sekonda, gjatë darkës së presidentit Donald Trump.
Ngjarja ndodhi në hotelin Washington Hilton, ku po zhvillohej një mbrëmje gala e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë. Sipas prokurorëve, i dyshuari, 31-vjeçari Cole Tomas Allen, kishte planifikuar sulmin dhe ishte regjistruar në hotel një ditë më parë.
Videoja tregon momentin kur ai del me shpejtësi nga një derë, heq pallton dhe kalon me vrap përmes detektorit të metaleve, duke mbajtur në duar një armë me tytë të gjatë.
Në pamje duket edhe një agjent sigurie që hap zjarr në drejtim të tij, ndërsa mbetet e paqartë nëse i dyshuari është qëlluar në atë moment.
Autoritetet amerikane bëjnë të ditur se i dyshuari mbante me vete disa armë, përfshirë një pistoletë gjysmëautomatike, një pushkë dhe thika.
Ai akuzohet për tentativë vrasjeje ndaj Trumpit dhe për vepra të tjera penale që lidhen me përdorimin e armëve.
Pas të shtënave, Trump, zëvendëspresidenti dhe zyrtarë të tjerë të lartë u evakuuan menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Prokurorja federale për Uashingtonin, Jeanine Pirro, publikoi videon në rrjetet sociale.
Ndërkohë, drejtori i Shërbimi Sekret i SHBA-së deklaroi se një agjent u godit në jelekun balistik, por pa pasoja serioze, dhe reagoi duke qëlluar ndaj sulmuesit, çka ndihmoi në neutralizimin e tij.
I dyshuari ndodhet në paraburgim dhe përballet me disa akuza të rënda, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë./ kb
