Presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar tarifa të reja ndaj Bashkimit Europian. Në një reagim në Truth Social, Trump bën me dije se do të rrisë në 25% tarifat për makinat dhe kamionët që hyjnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai shprehet se kjo masë është marrë për shkak se Bashkimi Evropian nuk po i përmbahet Marrëveshjes së Tregtisë të dakordësuar me SHBA.
“Kam kënaqësinë të njoftoj se, bazuar në faktin se Bashkimi Evropian nuk po i përmbahet Marrëveshjes sonë të Tregtisë të dakordësuar plotësisht, javën tjetër do të rris tarifat e ngarkuara ndaj Bashkimit Evropian për makinat dhe kamionët që hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Tarifa do të rritet në 25%. Është plotësisht e kuptueshme dhe e dakordësuar që, nëse ata prodhojnë makina dhe kamionë në fabrikat e SHBA-së, nuk do të ketë tarifë. Shumë fabrika automobilash dhe kamionësh janë aktualisht në ndërtim e sipër, me mbi 100 miliardë dollarë të investuara, një rekord në historinë e prodhimit të makinave dhe kamionëve. Këto fabrika, të pajisura me punëtorë amerikanë, do të hapen së shpejti – Nuk ka pasur kurrë diçka të ngjashme me atë që po ndodh në Amerikë sot”, thuhet në postimin e Trump./mxh
