Papa Leoni XIV ka shënuar Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit me një mesazh të fortë në mbrojtje të gazetarëve dhe të drejtës për informim të lirë, duke dënuar shkeljet e vazhdueshme ndaj medias në mbarë botën.
Gjatë lutjes së përjavshme të së dielës në Sheshin e Shën Pjetrit, nën një mot të kthjellët dhe përpara qindra besimtarëve, Ati i Shenjtë theksoi rëndësinë e gazetarisë së pavarur, por edhe rreziqet në rritje me të cilat përballen reporterët.
Papa u ndal veçanërisht tek gazetarët që kanë humbur jetën gjatë raportimit nga zonat e konfliktit, duke i cilësuar ata si viktima të luftës dhe dhunës në kërkim të së vërtetës.
Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, e promovuar nga UNESCO dhe e shënuar çdo 3 maj, synon të mbështesë organizatat mediatike që përballen me censurë dhe presion, si dhe të nderojë gazetarët që kanë humbur jetën në krye të detyrës.
Në mesazhet e tij të mëparshme, Papa Leo e ka cilësuar gazetarinë si një shtyllë të rëndësishme të demokracisë, duke theksuar se informacioni është një e mirë publike që duhet mbrojtur nga manipulimi.
Ai ka bërë vazhdimisht thirrje për lirimin e gazetarëve të ndaluar padrejtësisht dhe ka theksuar se raportimi i së vërtetës nuk duhet të konsiderohet kurrë një krim.
Në përfundim të fjalës së tij, Papa uroi besimtarët për një të diel të bekuar./mxh
