Zayn Malik ka bërë ndryshime të rëndësishme në planet e tij artistike, duke anuluar turneun e planifikuar në SHBA dhe duke shtyrë disa paraqitje në Mbretërinë e Bashkuar, pas një problemi shëndetësor që e çoi edhe në spital.
Këngëtari ka reaguar vetë përmes rrjeteve sociale, ku siguroi fansat se gjendja e tij është e stabilizuar dhe se po rikuperohet në shtëpi. Ai falënderoi publikun për mbështetjen dhe mesazhet e shumta, duke theksuar se kjo periudhë e detyron të ngadalësojë ritmin.
“E kam ndjerë dashurinë tuaj dhe do të thotë gjithçka për mua. Po rikuperohem në shtëpi, jam mirë dhe do të kthehem më i fortë dhe më i mirë se më parë”, u shpreh ai.
Malik sqaroi se ka rishikuar agjendën për muajt në vijim, duke reduktuar numrin e koncerteve në kuadër të turneut “Konnakol”, në mënyrë që të jetë në formën e duhur kur të rikthehet në skenë dhe të takojë sa më shumë fansa.
Edhe pse nuk ka dhënë detaje konkrete mbi arsyen e shtrimit në spital, pak ditë më parë në rrjet qarkulloi një foto e tij nga ambientet spitalore, duke ngritur shqetësim te ndjekësit.
Turneu, i cili mban emrin e albumit të tij më të fundit, ishte planifikuar fillimisht me 31 koncerte në mbarë botën dhe do të niste më 12 maj në Manchester. Tashmë, ai është riorganizuar dhe pritet të nisë më 23 maj, me një numër shumë më të reduktuar shfaqjesh.
Koncerti i parë do të mbahet në O2 Arena në Londër më 23 maj, ndërsa një ditë më pas artisti do të performojë në Manchester./mxh
