Një tjetër çështje ligjore është hapur kundër Kylie Jenner, pasi një ish-punonjëse e saj ka ngritur padi duke pretenduar se është përballur me trajtim të padrejtë gjatë punës.
Juana Delgado Soto ka dorëzuar një padi ndaj Jenner, kompanisë së saj, si dhe disa personave dhe agjencive të lidhura me stafin e shtëpisë, duke përfshirë mbikëqyrësen Itzel Sibrian. Në dokumentet e publikuara nga Los Angeles Times, ajo akuzon për diskriminim racor, ngacmim, shkelje të të drejtave të punës dhe mosveprim ndaj abuzimeve të raportuara.
Sipas pretendimeve, Soto nisi punën në vitin 2019 dhe gjatë kësaj kohe nuk i janë respektuar pushimet bazë. Ajo thekson se situata u përkeqësua në vitin 2023, kur në krye të saj u vendos Sibrian. Në vitin 2024, ajo iu drejtua burimeve njerëzore, duke raportuar sjellje që i konsideronte abuzive.
Në padi thuhet se Sibrian e ka ofenduar për shkak të theksit, origjinës dhe statusit të emigracionit, madje duke përdorur fyerje të drejtpërdrejta. Edhe pse për një periudhë u largua nga detyra, mbikëqyrësja u rikthye më pas dhe, sipas Soto-s, nisi një sjellje hakmarrëse duke i ndryshuar kushtet e punës dhe duke i shtuar ngarkesën.
Akuza të tjera përfshijnë detyrimin për të punuar në evente private në vend të pushimit, mungesë mirëkuptimi në një moment personal të vështirë pas humbjes së vëllait, si dhe një ambient pune armiqësor nga kolegët.
Në prill 2025, Soto i drejtoi një letër të gjatë Kylie Jenner-it për të shprehur shqetësimet e saj, duke theksuar se po përjetonte presion psikologjik dhe se besonte që ajo nuk ishte në dijeni të situatës. Por, sipas saj, pas kësaj letre u përball me kërcënime për largim nga puna dhe kufizime të pazakonta në vendin e punës.
Pretendimet përfshijnë edhe ndalimin e përdorimit të lirë të tualetit, kufizime për të pirë ujë dhe detyra të rënda fizike që nuk ishin pjesë e rolit të saj.
Në gusht 2025, ajo vendosi të largohej, duke përmendur ndikimin negativ në shëndetin e saj mendor dhe fizik.
Deri tani, përfaqësuesit e Kylie Jenner nuk kanë reaguar publikisht. Ndërkohë, avokatja që përfaqëson Soto-n po ndjek edhe një çështje tjetër të ngjashme të ngritur nga një ish-punonjëse tjetër./mxh
