Fituesja e Çmimit Nobel për Paqen, Narges Mohammadi, 54 vjeç, është shtruar me urgjencë dje në një spital në qytetin Zanjan, pas një përkeqësimi të rëndë të gjendjes së saj shëndetësore. Sipas familjes së saj dhe fondacionit që mban emrin e saj, aktivistja — e burgosur për angazhimin e saj në mbrojtje të të drejtave të njeriut në Iran — ndodhet «në rrezik për jetën».
Mohammadi, e arrestuar sërish në dhjetor 2025 pas një lirimi të shkurtër për arsye shëndetësore, dyshohet se ka pësuar dy episode humbjeje ndjenje dhe një krizë kardiake. Që në javët e mëparshme, avokatët e saj kishin sinjalizuar një përkeqësim të shpejtë të gjendjes fizike, të përkeqësuar — sipas familjarëve — nga muaj të tërë mungese të asistencës mjekësore.
Shtrimi në spital ndodhi vetëm pasi mjekët e burgut pranuan pamundësinë për të menaxhuar situatën brenda strukturës penitenciare. Por, sipas familjes, autoritetet iraniane kundërshtojnë transferimin e saj në Teheran, ku ajo mund të trajtohet nga specialistë dhe nga ekipi i saj mjekësor. «Po luftojmë për jetën e saj», deklaroi vëllai i saj, Hamidreza Mohammadi. Edhe bashkëshorti i saj, aktivisti Taghi Rahmani, denoncoi se Ministria e Inteligjencës po pengon marrjen e trajtimit të nevojshëm.
Komiteti Nobel Norvegjez u ka bërë thirrje autoriteteve iraniane të lejojnë menjëherë transferimin e saj në Teheran, duke theksuar se «pa trajtim të duhur jeta e saj është në rrezik». «Narges Mohammadi ndodhet në burg vetëm për aktivitetin e saj paqësor në mbrojtje të të drejtave të njeriut», deklaroi presidenti i Komitetit.
E vlerësuar me Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2023, ndërkohë që ishte tashmë e burgosur, Mohammadi është shndërruar në një nga zërat më të rëndësishëm të opozitës civile iraniane, sidomos pas protestave që pasuan vdekjen e Mahsa Amini në vitin 2022.
Pavarësisht gjendjes shëndetësore dhe periudhave të burgimit, ajo ka vijuar të denoncojë shkeljet e të drejtave të njeriut dhe të mbështesë publikisht lëvizjen e protestës kundër Republikës Islamike.
Sipas fondacionit të saj, shtrimi në spital ka ndodhur «si një masë ekstreme dhe e vonuar» pas më shumë se katër muajsh «neglizhence mjekësore sistematike». Familja druhet se ndërhyrja mund të ketë ardhur shumë vonë./Mxh
