Last Updated on 03/05/2026 by Anisa
Nga Anisa Xhani (Daci)
Nuk është aksident. Është krim. Një shofer i dehur që ngjitet mbi trotuar dhe përplas për vdekje fëmijë që po luanin, shkel kufirin e fundit që mbron jetën.
Dy fëmijë humbën jetën. Një tjetër, vetëm 8 vjeç, lufton për jetën. Dhe tragjedia është se as aty, as në trotuar, nuk u lanë. U ngjitën mbi ta. Trotuari në vend që të ishte kufiri që i mbronte, u kthye në vijën ku u ndërpre jeta e tyre. Sepse nuk po i lëmë më të sigurt as njerëzit, as fëmijët, as në hapësirën minimale që u takon.
Lagje të tëra janë ngritur pa asnjë ndjeshmëri ndaj fëmijërisë. Ndërtim pas ndërtimi, pa një plan të qartë për hapësira të gjelbra, pa trotuare të sigurta, pa kënde lojërash. Shoferi i dehur është përgjegjës për atë që ndodhi sot. Por ai është vetëm një pjesë e problemit. Po aq i pamëshirshëm është edhe realiteti që kemi ndërtuar, një realitet ku shpejtësia, mungesa e kontrollit dhe mungesa e hapësirave të sigurta bashkohen në një formulë tragjedie.
Fëmijët po rriten të rrethuar nga trafiku, betoni dhe tabelat “private”, në vend të parqeve, trotuareve të sigurta dhe hapësirave të gjelbra publike. Madje, sot te Liqeni, një nga të paktat hapësira ku prindërit përpiqen të çojnë fëmijët, pashë diçka që flet shumë: fushat e tenisit ishin të kyçura. Kur u hapën dyert dhe pyeta si mund të futesh brenda, më thanë se duhet të paguash biletë. Loja është bërë luks.
Sidomos në Tiranë fëmijët përballen me një mungesë të theksuar të lojës në natyrë, për shkak të mungesës së parqeve të sigurta, të aksesueshme dhe funksionale. U kemi marrë oborret. Rrugicat ku luhej pa frikë. Hapësirat ku rrëzoheshim dhe ngriheshim sërish.
Kur babai im u kthye në Tiranë pas tre vitesh dhe u përpoq të gjente shtëpinë e xhaxhait në Yzberisht, u end për orë të tëra. Ka shumë histori të tilla. Aty ku dikur ishte një pallat i vetëm, kishin mbirë dhjetëra. Projekti që parashikonte gjelbërim përpara ishte zhdukur zëvendësuar nga pllaka betoni.
Kanë kaluar më shumë se 10 vite që jetoj në këtë zonë. Pallatet janë si kërpudha pas shiut. Dhe ende nuk ka një hapësirë të gjelbër ku fëmijët të luajnë. Si nënë jam në ankth gjatë gjithë kohës. “Mos, kujdes, kontrollo.” Çdo dalje është tension. Mjafton një çast që të më shkëputen nga dora dhe një valë frike më përshkon trupin, një peshë në stomak, aq sa shpesh kjo gjendje më kthehet në një dhimbje fizike. Njësoj si unë në “alarm” janë edhe të tjerë prindër. Sepse nuk ka një vend ku ata të jenë thjesht fëmijë.
Çfarë vlere ka një qytet që ndërtohet duke zhdukur fëmijërinë?
Kur makinat kanë më shumë hapësirë se njerëzit.
Kur betoni zë vendin e pemëve.
Kur loja kushton.
Kur prindërit jetojnë me frikë dhe fëmijët me kufizime.
Kjo nuk është vetëm çështje urbanistike. Është krizë shoqërore. Sepse një qytet që nuk mendon për fëmijët, nuk ka të ardhme. Fëmijët nuk duhet të përshtaten me qytetin. Qyteti duhet të përshtatet me ta.
Një shoqëri që shkatërron natyrën dhe nuk mbron fëmijët, po dëmton vetë të ardhmen e saj.
