Last Updated on 04/05/2026 by EL
Gjykata e Lartë ka vendosur këtë të hënë të ndryshojë praktikën e deritanishme gjyqësore lidhur me masën e sigurisë “arrest në burg”, duke theksuar edhe një herë karakterin përjashtimor të kësaj mase dhe nevojën që ajo të përdoret vetëm në raste të mirëarsyetuara dhe të individualizuara.
Në vendimin e saj, Kolegjet e Bashkuara janë shprehur mbi kërkesën e Prokurorisë së Apelit për rastin e shtetasit Bektesh Zeneli, duke rrëzuar rekursin e prokurorisë dhe duke lënë në fuqi masën e mëparshme “arrest në shtëpi”. Pikërisht ky rast ka shërbyer edhe si shkak për thirrjen e Kolegjeve të Bashkuara dhe për unifikimin e qëndrimit gjyqësor.
Kolegjet e Bashkuara përcaktuan tri rregulla kryesore:
Së pari, formulimi i mëparshëm, sipas të cilit, kur kërkohet ose vendoset masa e sigurimit “arrest në burg”, gjykata nuk ka detyrimin të analizojë realisht masat alternative dhe mjafton të arsyetojë se masa e zgjedhur është e përshtatshme për rastin konkret, nuk është në përputhje me nenet 228-230 dhe 245/1, shkronja “ç”, të Kodit të Procedurës Penale, si dhe me nenin 5 § 3 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Për këtë arsye, gjykata ka detyrimin të shqyrtojë realisht masat më pak kufizuese të lirisë personale dhe të arsyetojë shprehimisht përse ato nuk janë të mjaftueshme në rastin konkret. Ky arsyetim duhet të jetë i individualizuar, i mbështetur në fakte dhe i lidhur drejtpërdrejt me rrethanat konkrete të çështjes.
Së dyti, masa “arrest në burg” ka natyrë përjashtimore dhe mund të vendoset vetëm kur masat e tjera janë të papërshtatshme. Rrezikshmëria e veprës dhe e autorit nuk mund të nxirret vetëm ose kryesisht nga natyra e veprës penale apo nga marzhi i dënimit, por duhet të mbështetet në një vlerësim konkret të rrethanave të çështjes, mënyrës së kryerjes së veprës, pasojave, personalitetit, sjelljes dhe të dhënave personale e familjare të personit ndaj të cilit kërkohet masa.
Së treti, barra e justifikimit të nevojës për caktimin dhe vijimin e masës “arrest në burg” i takon prokurorisë. Gjykata ka detyrimin ta verifikojë dhe ta arsyetojë këtë nevojë në çdo fazë të procedimit. Vendimmarrja e saj nuk mund të kushtëzohet nga paraqitja ose jo e “provave pozitive” nga i pandehuri.
Ky vendim ka rëndësi të veçantë për sistemin gjyqësor dhe për mbrojtjen e të drejtave themelore, pasi qartëson kushtet, kufijtë dhe mënyrën e arsyetimit të masës “arrest në burg”, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, Kushtetutën dhe standardet e GJEDNJ-së. Në këtë mënyrë, Kolegjet e Bashkuara forcojnë qëndrueshmërinë, njëtrajtshmërinë dhe parashikueshmërinë e praktikës gjyqësore, duke vendosur në qendër garancitë e lirisë personale dhe nevojën për një kontroll gjyqësor real, konkret dhe proporcional.
Në çështjen konkrete, Kolegjet e Bashkuara lanë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, duke vlerësuar se rekursi i prokurorisë nuk gjente mbështetje në ligj.
Vendimi i plotë dhe i arsyetuar i Kolegjeve të Bashkuara do të vihet në dispozicion brenda afatit ligjor dhe do të dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare./et
