Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, deklaroi se nuk do të mbështeste asnjë vendim të presidentit amerikan Donald Trump për të tërhequr trupat amerikane nga Italia.
Gjatë një prononcimi për mediat në Jerevan të Armenisë, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Europian, Meloni theksoi se një vendim i tillë nuk varet prej saj, por shtoi se personalisht nuk do të ishte dakord.
Ajo nënvizoi se Shtetet e Bashkuara kanë diskutuar prej kohësh mundësinë e një tërheqjeje nga Europa, duke theksuar nevojën që vendet europiane të forcojnë kapacitetet e tyre të sigurisë dhe mbrojtjes.
Në deklaratën e saj, Meloni mbrojti gjithashtu rolin e Italisë në aleancën e NATO-s, duke theksuar se vendi i saj ka përmbushur gjithmonë angazhimet ndërkombëtare.
Sipas saj, Italia ka marrë pjesë në misione të rëndësishme edhe kur interesat e drejtpërdrejta nuk kanë qenë të prekura, si në Afganistan dhe Irak.
Kjo deklaratë vjen pasi Trump u shpreh javën e kaluar se një tërheqje e trupave amerikane nga Italia dhe Spanja është “e mundshme”.
Marrëdhëniet mes dy liderëve janë tensionuar kohët e fundit, veçanërisht për çështje që lidhen me konfliktin në Iran dhe kritikat e Trump ndaj Papës Leo, ndërsa presidenti amerikan ka akuzuar Melonin për mungesë guximi dhe për zhgënjim ndaj Uashingtonit.
