Një incident i pazakontë ka tronditur atmosferën përpara mbrëmjes më të madhe të modës, Met Gala, ku qindra shishe të vogla janë fshehur brenda ambienteve të Metropolitan Museum of Art.
Sipas raportimeve, rreth 300 shishe me “urinë” false në fakt ujë i përzier me ngjyrues ushqimor janë vendosur mes veprave artistike si pjesë e një proteste kundër miliarderit Jeff Bezos, i cili këtë vit është një nga figurat kryesore dhe sponsorët e eventit së bashku me partneren e tij Lauren Sanchez.
Çdo shishe mbante fytyrën e Bezos dhe mesazhin “Boycott the Bezos Met Gala” (Bojkotoni Met Gala-në e Bezos), duke synuar të tërheqë vëmendjen ndaj akuzave të kahershme për kushtet e punës në Amazon, ku disa punonjës kanë pretenduar se janë detyruar të përdorin shishe për nevoja fiziologjike gjatë orarit të punës. Kompania i ka mohuar këto akuza.
Ngjarja e këtij viti është shoqëruar me polemika edhe për shkak të pjesëmarrjes së Bezos si sponsor kryesor. Disa figura të njohura kanë refuzuar të marrin pjesë:

Zohran Mamdani, kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, ka vendosur të mos marrë pjesë, duke thyer traditën.
Aktorja Meryl Streep thuhet se ka refuzuar një ftesë si bashkë-kryetare.
Ylli i modës dhe kinemasë Zendaya, një figurë ikonike e Met Gala, gjithashtu nuk do të jetë e pranishme këtë vit.
Por kush qëndron pas protestës?
Aksioni është marrë përsipër nga grupi aktivist britanik Everyone Hates Elon, i cili deklaroi në rrjetet sociale se veprimi ishte një formë proteste kundër pasurisë së madhe të Bezos dhe trajtimit të punëtorëve.
Grupi ka organizuar edhe më parë aksione të ngjashme provokuese, duke përfshirë protesta kundër luksit të tepërt dhe çështjeve të taksave.
Ndërsa Met Gala njihet për glamurin dhe ekstravagancën, këtë vit duket se do të mbahet nën hijen e protestave dhe kritikave sociale, duke e kthyer vëmendjen nga moda drejt çështjeve të barazisë dhe etikës në biznes./mxh
