Last Updated on 04/05/2026 by EL
Kremlini ka shtuar ndjeshëm masat e sigurisë për presidentin rus Vladimir Putin, deri në pikën që edhe banesat e stafit të tij të afërt janë vënë nën survejim. Lajmin e raporton CNN, duke iu referuar një raporti të një agjencie europiane të inteligjencës, që përshkruan një regjim shumë më të fortë kontrolli se më parë.
Sipas masave të reja, persona si kuzhinierë, truproja dhe fotografë nuk lejohen të përdorin transport publik, vizitorët kontrollohen dy herë dhe stafit i lejohet të ketë vetëm telefona pa internet. Këto masa, sipas raportit, janë marrë në muajt e fundit, pas vrasjes së një gjenerali të lartë në dhjetor 2025, një ngjarje që nxiti përplasje në nivelet më të larta të sigurisë ruse.
Në të njëjtën kohë, janë kufizuar ndjeshëm edhe lëvizjet e vetë presidentit. Ai dhe familja e tij nuk frekuentojnë më disa nga rezidencat e zakonshme pranë Moskës dhe në Valdai, ndërsa këtë vit nuk ka vizituar asnjë bazë ushtarake, ndryshe nga një vit më parë. Për të kompensuar mungesën e daljeve, në disa raste publikohen pamje të regjistruara më parë. Që nga nisja e luftës në Ukrainë në vitin 2022, Putin kalon edhe javë të tëra në bunkerë të përforcuar, shpesh në rajonin e Krasnodarit.
4 vjet pas nisjes së luftës në Ukrainë, presioni mbi Kremlinin po rritet edhe së brendshmi. Humbjet ruse, të vlerësuara nga vendet perëndimore në rreth 30 mijë të vrarë dhe të plagosur çdo muaj, së bashku me përparime të kufizuara në front dhe sulme të përsëritura me dronë brenda territorit rus, po e rëndojnë situatën.
Madje, sipas dokumentit, pasojat po ndihen gjithnjë e më shumë edhe në jetën e përditshme. Probleme si ndërprerjet e shpeshta të të dhënave celulare në qytete të mëdha po shkaktojnë pakënaqësi, edhe te shtresat urbane që deri tani kishin qenë më pak të prekura nga lufta.
Një pjesë e rëndësishme e raportit fokusohet te tensionet brenda vetë sistemit rus. Dokumenti përshkruan përplasje mes strukturave të sigurisë dhe ushtrisë për përgjegjësinë në mbrojtjen e zyrtarëve të lartë. Kjo situatë çoi në rishikimin e protokolleve të sigurisë dhe në zgjerimin e mbrojtjes edhe për 10 komandantë të tjerë.
Sipas raportit, që nga marsi 2026 ekziston shqetësim konkret në Kremlin për rrjedhje informacioni dhe për rrezikun e një komploti apo tentative për grusht shteti ndaj presidentit.
Në dokument përmendet edhe frika nga përdorimi i dronëve për një atentat të mundshëm, madje edhe nga brenda elitës politike.Në këtë kontekst, në rapot përmendet edhe Sergei Shoigu, ish-ministri i Mbrojtjes dhe aktualisht sekretar i Këshillit të Sigurisë.
Sipas raportit, ai lidhet me rrezikun e një grushti shteti për shkak të ndikimit që vazhdon të ketë në komandën ushtarake. Dokumenti përmend edhe arrestimin e ish-zëvendësit të tij, Ruslan Tsalikov, më 5 mars, për akuza korrupsioni, duke e cilësuar këtë si një goditje ndaj balancave brenda elitës dhe si një zhvillim që dobëson pozitat e tij.
Raporti përshkruan edhe një episod konkret: një mbledhje të tensionuar në Kremlin në fund të vitit 2025, pas vrasjes së gjeneralit Fanil Sarvarov. Në atë takim, shefi i shtabit Valery Gerasimov kritikoi kreun e shërbimit të sigurisë Alexander Bortnikov për dështim në mbrojtjen e oficerëve, ndërsa pala tjetër përmendi mungesë burimesh.
Pas këtij debati, u vendos që mbrojtja të zgjerohej për 10 komandantë të tjerë të lartë, ndërsa më pas u forcua edhe siguria personale për presidentin. Sipas raportit, disa nga këto masa sigurie kanë qenë të njohura edhe më parë, si kontrollet e rrepta fizike dhe shmangia e smartphone-ve. Megjithatë, Putin vazhdon të shfaqet në publik, së fundmi në takime me liderin çeçen Ramzan Kadyrov dhe ministrin e Jashtëm të Iranit.
Izolimi i tij kishte nisur që gjatë pandemisë Covid-19, kur ai qëndronte në distancë nga të ftuarit, ndërsa raportohet se përdor të njëjtin konfigurim zyre në vende të ndryshme për komunikim me kabinetin. Ndërkohë, ndryshimet në siguri vijnë pak ditë pasi Moska njoftoi se parada e 9 majit në Sheshin e Kuq do të zhvillohet pa armatime të rënda, për shkak të kërcënimeve të sigurisë.
“Në sfondin e këtij kërcënimi terrorist, po merren të gjitha masat për të minimizuar rrezikun”, u shpreh zëdhënësi i Kremlinit./et
