Last Updated on 05/05/2026 by EL
Krizat, pavarësisht tipologjisë kanë një të përbashkët: të varfrit bëhen edhe më të varfër, ndërsa të pasurit bëhen edhe më të pasur.
Por, përtej këtyre dy ekstremeve, ekziston edhe një përfitues i heshtur, buxheti i shtetit. E njëjta ka ndodhur edhe me rritjen e çmimeve të karburanteve. Qytetarët po e paguajnë më shtrenjtë lëndën djegëse ndërsa arka e shtetit po fryhet më shpejt.
Andi Mehmeti, zëvendësministër i Financave, u shpreh: “Efekti pozitiv është 553 milionë lekë të ardhura, shtesë por ka pasur edhe rritje të sasisë së importuar në konsum me rreth 2 mijë tonë, ose 3% më shumë se në mars të 2025. Gjithsesi efekti pozitiv i çmimeve në të ardhura është 553 milionë lekë”.
E teksa ka përfituar mbi 500 milionë lekë më tepër, shteti ka humbur fare pak me politikën për uljen e akcizës 20 për qind vetëm në rastin kur nafta kalon nivelin e 220 lekëve për litër.
Andi Mehmeti, zëvendësministër i Financave, deklaroi: “Efekti negativ për periudhën 1-24 prill nga akciza është vetëm 37 milionë lekë për këtë periudhë, nga ulja ne 20%”.
Në komisionet parlamentare u shqyrtua edhe nisma e deputetit të PD-së Eno Bozdo për të ulur taksën e qarkullimit.Por ulja e kësaj takse mori ‘karton të kuq’ në Komisionin e Ekonomisë pasi mazhoranca argumenton se masat e marra deri më tani nga qeveria janë të mjaftueshme për të mbajtur situatën në kontroll.
“Ne kemi menduar se për këtë radhë nuk do ta miratojmë këtë propozim”, deklaroi Mehmeti.
Komisioni i Ligjeve miratoi aktin normativ për uljen e akcizës me 20% sa herë çmimi naftës kalon 220 lekë për litër dhe i benzinës mbi 200 lekë litri. Kjo lehtësi fiskale që do të jetë në fuqi deri në përfundim të situatës së krijuar nga lufta në Lindjen e Mesme, u aplikua për herë të parë më 3 prill, kur çmimi i naftës arriti 233 lekë, por me uljen e akcizës u pagua nga qytetarët 224 lekë për litër./et
