Elseid Hysaj po bëhet gati t’i japë lamtumirën Lacios në fund të këtij edicioni, pasi ka hyrë në muajt e fundit të kontratës së tij me bardhekaltrit që nuk do të rinovohet. Dhe për t’i dhënë lamtumirën në mënyrën e duhur shokëve, ka zgjedhur një mënyrë të veçantë.
Sipas mediave italiane, Hysaj do të organizojë në javët e ardhshme një drekë për skuadrën në ambientet e qendrës stërvitore në Formelo. Mësohet se mbrojtësi i Kombëtares shqiptare do të organizojë një drekë me zgarë të hapur për shokët e skuadrës, si një mënyrë për t’i dhënë lamtumirën ekipit, por edhe për të qenë bashkë në prag të një fundi sezoni me shumë luhatje.
Hysaj iu bashkua Lacios në verën e vitit 2021 dhe pas 5 sezonesh, po bëhet gati t’i japë lamtumirën. Në dy sezonet e fundit, ai ka luajtur rol episodik me bardhekaltrit, pasi u nxor shpesh jashtë planeve nga trajnerët në drejtim. Por ai ka mbetur një figurë me peshë brenda klubit e për këtë arsye, ka vendosur që të organizojë këtë drekë me shokët e ekipit./mxh
