Arben Pëllumbi ka ndarë në rrjetet sociale një mesazh të mbushur me dhimbje dhe mirënjohje pas ndarjes nga jeta të babait të tij, Servet Pëllumbi, i cili u nda nga jeta të martën. Në postimin e tij, ai e përshkruan të atin si një figurë shumë më të madhe se një prind, duke e konsideruar udhërrëfyes, mësues dhe forcë morale në jetën e tij.
Ai thekson se Servet Pëllumbi ishte një njeri që jetoi me dinjitet, mendim të thellë dhe dashuri të pakushtëzuar për familjen, dijen dhe Shqipërinë. Largimi i tij, sipas Arben Pëllumbit, lë një boshllëk të pazëvendësueshëm, por trashëgimia e tij shpirtërore dhe intelektuale do të mbetet e gjallë.
Postimi i plotë i Arben Pëllumbit:
“Sot u nda nga jeta babai im, Servet Pëllumbi.
Profesori, siç e thërrisnin të gjithë, ishte një njeri që jetoi me dinjitet, mendim të thellë dhe dashuri të pakushtëzuar për familjen, dijen dhe Shqipërinë. Për mua ai ishte më shumë se një prind — ishte udhërrëfyes, mësues dhe forca ime morale.
Largimi i tij më lë një boshllëk të pazëvendësueshëm, por vepra, fjala dhe shembulli i tij do të jetojnë përherë.
Mirënjohje pa fund që pata fatin ta kem baba.
U prehsh në paqe!”, shkruan Arben Pëllumbi.
