Pas triumfit në edicionin e pestë të Big Brother VIP Albania, Selin ka dhënë një intervistë të sinqertë dhe plot emocione në emisionin “Ndryshe” me Salsano Rrapi dhe Elona Duro.
Për herë të parë pas daljes nga shtëpia më e famshme në Shqipëri, ajo ndau me dëgjuesit përjetimet e saj mbi fitoren, presionin e publikut dhe ndryshimet e menjëhershme që kjo eksperiencë solli në jetën e saj personale dhe profesionale. Selin rrëfeu gjithashtu rrugëtimin brenda spektaklit, duke kujtuar momentet e para të pasigurisë, krijimin e aleancave, sfidat emocionale dhe përballjet që e formësuan si personazh publik.
E njohur për karakterin e saj të fortë dhe autenticitetin, ajo theksoi se suksesi i saj erdhi si rezultat i qëndrimit besnik ndaj vetes, çka i fitoi zemrat e publikut. Sot, përtej trofeut, Selin konsiderohet një figurë në rritje në showbiz-in shqiptar, me plane të reja dhe një audiencë gjithnjë në rritje.
E pyetur se cili nga finalistët e përjetoi më keq humbjen, ajo u shpreh se të gjithë, në një mënyrë apo një tjetër, e kanë ndjerë peshën e finales. Megjithatë, Selin veçoi Miri-n si personin që mund ta ketë përjetuar më rëndë:
“Do thoja Miri, sepse arriti shumë afër fitores. Edhe unë po të isha në vendin e tij, do më vinte shumë keq.”
Nga ana tjetër, moderatorja Elona Duro përmendi se në deklaratat pas spektaklit, ishte Mateo ai që kishte shfaqur më shumë pakënaqësi. Selin iu përgjigj shkurt dhe me sportivitet:
“Epo, e përshëndes Mateon.”
Në fund, e pyetur me humor nga studentët e gazetarisë në studio nëse kishte ndarë nga çmimi i madh me Gimbo-n, Selin u përgjigj me shaka:
“Gimbo do thoja më jep, nuk i jap… por nuk po i japim këto informacione këtu. Çmimin e madh e kam thënë se ku e ka destinacionin. Nuk e kam marrë akoma, por kur ta marr, do ta çoj aty ku kam thënë.”/mxh
