Victoria Beckham ka dhënë një përgjigje të tërthortë pas komenteve të bujshme të djalit të saj, Brooklyn, duke sqaruar këndvështrimin e saj mbi familjen dhe mënyrën si janë rritur fëmijët.
Në një intervistë për podcast-in “Aspire” të Emma Grede, stilistja dhe sipërmarrësja theksoi se suksesi i madh financiar dhe ajo që shpesh etiketohet si “Brand Beckham” nuk kanë qenë kurrë një strategji e menduar paraprakisht. Sipas saj, gjithçka ka ardhur natyrshëm, si pasojë e karrierave të saj dhe të David Beckham në fusha të ndryshme.
Deklaratat e saj vijnë pasi Brooklyn, në fillim të këtij viti, u shpreh se nuk dëshiron të rikthejë marrëdhëniet me prindërit dhe i kritikoi ata për fokusin tek imazhi publik, duke i quajtur madje “performues”. Këto komente u interpretuan si akuza për një familje që, sipas tij, i jep përparësi markës mbi jetën private.
Victoria, pa e përmendur drejtpërdrejt të birin, u ndal tek balanca mes jetës private dhe asaj publike, duke theksuar se fama e familjes është ndërtuar më shumë nga perceptimi i jashtëm sesa nga një plan i brendshëm. Ajo kujtoi fillimet e tyre, kur David ishte i lidhur me marka të njohura sportive dhe ajo ishte pjesë e “Spice Girls”, një periudhë ku bashkëpunimet dhe ekspozimi publik ishin pjesë e natyrshme e profesionit.
Ajo theksoi se gjithmonë ka pasur një ndarje të qartë mes projekteve të saj dhe atyre të bashkëshortit, duke mohuar idenë e një strategjie të përbashkët për të ndërtuar një “brand” familjar.
Duke folur për prindërimin, Victoria u shpreh se prioriteti i saj ka qenë gjithmonë mbështetja e fëmijëve dhe krijimi i kushteve që ata të zhvillojnë potencialin e tyre, jo kontrolli mbi zgjedhjet e tyre. Ajo pranoi se rritja në qendër të vëmendjes ka qenë sfiduese, por shtoi se kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për t’i mbrojtur.
Në intervistë, ajo ndau edhe detaje për rrugëtimin e fëmijëve të tjerë. Cruz po i përkushtohet muzikës, ndërsa Harper ka shfaqur interes për industrinë e bukurisë dhe madje ka ide konkrete për krijimin e një linje të saj, e frymëzuar nga përvojat personale.
Victoria u shpreh krenare për mënyrën se si fëmijët po ndërtojnë identitetin dhe projektet e tyre, duke theksuar se çdo arritje e tyre është rezultat i përpjekjeve individuale dhe jo një vazhdim i imponuar i emrit Beckham.
Ndërkohë, familja ka ndërmarrë edhe hapa ligjorë për të mbrojtur emrat e fëmijëve për përdorime të mundshme në të ardhmen, një praktikë jo shumë e zakonshme, por që lidhet me natyrën publike të familjes./mxh
