Një prej ngjarjeve më të rënda që ka prekur opinionin publik amerikan është rikthyer në qendër të vëmendjes, pas vendimit përfundimtar të drejtësisë ndaj autorit.
Tanner Horner, 34 vjeç, është dënuar me vdekje për rrëmbimin dhe vrasjen e 7-vjeçares Athena Strand, një krim i ndodhur në nëntor 2022 në Teksas, i cili shkaktoi reagime të forta në mbarë vendin.
Sipas autoriteteve, Horner punonte si shpërndarës pakosh dhe gjatë orarit të punës iu afrua zonës ku jetonte vogëlushja. Ai dyshohet se e mori fëmijën dhe e futi në automjetin e tij, pasi kishte mbërritur për të dorëzuar një porosi.
Hetimet zbuluan se vajza u vra brenda një kohe të shkurtër pas rrëmbimit, ndërsa trupi i saj u gjet më vonë në një zonë të largët dhe të izoluar, disa kilometra larg banesës.
Gjatë procesit gjyqësor, një nga provat më të rënda ishte një regjistrim audio i paraqitur në sallë, ku dëgjohej komunikimi i fundit i vajzës me autorin. Në të, ajo shfaqte frikë dhe konfuzion për atë që po ndodhte, duke bërë pyetje për situatën në të cilën ndodhej.
Rasti ka ndezur sërish diskutime të forta mbi sigurinë dhe zbatimin e dënimeve maksimale në Shtetet e Bashkuara, ndërsa vendimi për dënimin kapital pritet të vazhdojë të ngjallë debat në publik./mxh
