Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi shpalljen e thirrjes për vitin 2026 të Programit të Vetëpunësimit, një nga instrumentet kryesore të politikave aktive të punësimit, i cili synon të mbështesë punëkërkuesit e papunë në krijimin e aktivitetit të tyre ekonomik dhe në gjenerimin e vendeve të reja të punës.
Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi se ky program ndërhyn në një moment vendimtar për individët. kur ekziston një ide biznesi, por mungon mbështetja financiare për ta kthyer atë në një sipërmarrje funksionale.
“Programi i Vetëpunësimit është ndërtuar për të nxitur sipërmarrjen dhe për të mbështetur konkretisht të rinjtë, gratë dhe grupet vulnerabël që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre përmes një biznesi. Qëllimi ynë është që të shoqërojmë çdo ide nga faza fillestare deri në realizimin e saj,” u shpreh Ministrja.
Ajo nënvizoi se programi nuk është i dedikuar vetëm për individët që kthehen nga emigracioni, por për të gjithë të rinjtë dhe të rejat që zgjedhin të jetojnë dhe të investojnë në Shqipëri. Ministrja solli në vëmendje edhe historitë e suksesit të të rinjve që kanë përfituar nga këto skema mbështetëse, duke dëshmuar potencialin që ekziston në vend.
Duke u ndalur te rëndësia e arsimit dhe formimit profesional, Ministrja Ibrahimaj theksoi, se politikat e ndjekura kanë synuar jo vetëm integrimin e të rinjve në tregun e punës, por edhe nxitjen e tyre për të hapur biznese të reja. “Arsimi dhe formimi profesional i pajis të rinjtë me aftësi konkrete, duke u dhënë atyre një avantazh për të nisur më shpejt një aktivitet sipërmarrës,” deklaroi ajo.
Programi i Vetëpunësimit është i strukturuar në disa faza, duke filluar nga aplikimi me një ide fillestare, vijuar me trajnimin për hartimin e një plani biznesi dhe më pas me vlerësimin për financim. Çdo vit, rreth 200 përfitues mbështeten për të zhvilluar sipërmarrjet e tyre, duke krijuar mundësi të reja punësimi dhe të ardhura për familjet shqiptare.
Ministrja bëri të ditur se për vitin 2026 fondi i programit është rritur, me synimin për të mbështetur një numër edhe më të madh aplikantësh. Ajo theksoi se programi është i hapur për të gjitha grupmoshat dhe nuk kufizohet vetëm te nxënësit e arsimit profesional.
Në vijim, Ministrja Ibrahimaj u ndal edhe te programet e tjera mbështetëse për sipërmarrjen, duke përmendur financimin e startup-eve përmes agjencisë “Innovation4Albania”, e cila prej disa vitesh mbështet ide dhe biznese inovative në të gjithë vendin. Ajo nënvizoi, se këto programe po shtrihen në të gjithë vendin duke krijuar mundësi të barabarta pwr tw gjithw.
“Qëllimi ynë është të përhapim kulturën e sipërmarrjes, të forcojmë njohuritë e të rinjve dhe të sigurohemi që ata të ndërtojnë biznese të qëndrueshme dhe të suksesshme,” tha Ministrja.
Në përfundim, Ministrja Ibrahimaj ftoi të gjithë të interesuarit të aplikojnë në thirrjen e hapur, duke theksuar se përfitimet nga programi shkojnë përtej mbështetjes financiare.
“Aplikoni, aplikoni, aplikoni. Nuk keni asgjë për të humbur, por shumë për të fituar, si njohuri, përvojë dhe mundësi për të realizuar idenë tuaj,” përfundoi ajo.
