Administrata e Donald Trump ka ashpërsuar retorikën ndaj Evropës në strategjinë e re të sigurisë kombëtare, duke e cilësuar kontinentin si një “inkubator” të terrorizmit të nxitur nga emigracioni masiv.
Analiza e publikuar nga media britanike The Guardian, përqendrohet te kufijtë, ekstremizmi i brendshëm dhe lufta kundër karteleve të drogës, të cilat Uashingtoni i konsideron tashmë pjesë të kërcënimeve terroriste globale.
Sipas strategjisë, administrata Trump argumenton se grupet armiqësore po përfitojnë nga “kufijtë e hapur” dhe nga politikat globaliste të vendeve evropiane, sipas së cilës rritja e komuniteteve të huaja dhe vazhdimi i politikave aktuale në Evropë mund të çojnë në shtim të kërcënimeve terroriste.
Strategjia përfshin gjithashtu zotimin për të çrrënjosur “ekstremistët e dhunshëm të krahut të majtë”, përfshirë grupet që administrata i përshkruan si “radikalisht pro-transgjinore”.
Në të njëjtën kohë, kartelet e drogës vendosen në qendër të përpjekjeve amerikane kundër terrorizmit dhe krimit ndërkombëtar.
Megjithatë, artikulli thekson se vendet evropiane mbeten partnerët më të rëndësishëm dhe afatgjatë të SHBA-së në luftën kundër terrorizmit.
Këto deklarata vijnë në një moment tensioni mes Uashingtonit dhe vendeve evropiane për shkak të deklaratave kritikuese të shefit të shtëpisë së bardhë kundër NATO./mxh
