Detaje të reja kanë dalë në dritë vrasja e biznesmenit Rexhep Ismaili në fshatin Gjashtë të Sarandës. Ngjarje kjo e ndodhur në lokalin dhe karburantin në pronësi të viktimës 66 vjeçar.
Bazuar në burime për mediat, sherri gjatë të cilit mbeti i vrarë Ismaili, nuk e përfshinte drejtëpërdrejt viktimën.
Gjatë mbrëmjes së djeshme në lokal kanë shkuar, të paktën 10 persona, të cilët kanë patur një konflikt, dyshohet pronësie, me një prej personave që ndodhej në lokal dhe kanë dashur ta rrëmbejnë.
Më pas mësohet se Rexhep Ismaili u ka thënë “djali është në shtëpinë tonë dhe nuk e prekni dot këtu”, duke sjellë kështu agravimin e situatës. Po ashtu në vendngjarje ka mbetur një automjet i autorëve.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i plagosur një person që nuk është paraqitur në spital, por ai ia ka mbathur bashkë me autorin Lulzin Tabaku, dhe të dy vijojnë të jenë në kërkim.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për kapjen e autorit dhe të personave të përfshirë në konflikt. Njëkohësisht, po ushtrohen kontrolle në spitalet rajonale dhe në klinikat private, me qëllim identifikimin dhe gjetjen e shtetasit të dyshuar të plagosur.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 përpara karburantit “Vëllezërit Ismaili”, në kryqëzimin apo rrethrrotullimin e Gjashtës (vendasit e njohin zonën edhe si Qafa e Gjashtës për shkak të terrenti dhe rrugës automobilistike që përshkon kodrën).
Fatkeqësisht, plumbi rezultuar fatal dhe biznesmeni e kryetari i degës lokale të Shoqatës Patriotike “Çamëria” ka ndërruar jetë në vendngjarje. Familjarë dhe banorë të zonës janë tronditur nga ngjarja dhe po japin dëshmi për të ndihmuar në hetime.
