Banorët e Londrës kanë reaguar ndaj rezultateve të zgjedhjeve lokale në Britani, ku Partia Laburiste dhe Konservatorët kanë pësuar humbje të ndjeshme, ndërsa partia populiste Reform UK ka shënuar rritje të fortë.
Sipas rezultateve të deritanishme, Laburistët kanë humbur 185 vende në këshillat lokalë, ndërsa Konservatorët kanë rënë me 93 vende. Fituesi kryesor deri tani rezulton Reform UK, e udhëhequr nga Nigel Farage, e cila ka shtuar 253 vende, me mijëra rezultate ende në proces numërimi.
Në Londër dhe zona të tjera, qytetarët kanë shprehur opinione të ndryshme për situatën politike. Disa votues thanë se kryeministri Keir Starmer nuk ka përmbushur premtimet e fushatës së vitit 2024 dhe se publiku po kërkon alternativa të reja politike.
Një bankier i ri u shpreh se njerëzit kërkojnë “një këndvështrim dhe qasje të ndryshme”, ndërsa theksoi se paqëndrueshmëria aktuale politike mund të ndikojë edhe në ekonomi.
Nga ana tjetër, qytetarë të tjerë shprehën shqetësim për rritjen e Reform UK dhe ndikimin e mundshëm të saj në politikën britanike, duke e cilësuar situatën “të frikshme” dhe shqetësuese për drejtimin e vendit.
Punonjës të sektorëve të ndryshëm, përfshirë shëndetësinë dhe bamirësitë, thanë se janë të alarmuar nga ndryshimet politike dhe nga rritja e mbështetjes për forcat populiste.
Zgjedhjet lokale konsiderohen si testi më i rëndësishëm i opinionit publik në Britani përpara zgjedhjeve të përgjithshme të planifikuara në vitin 2029, ndërsa rezultatet e para tregojnë një fragmentim të thellë të sistemit politik britanik./mxh
