Last Updated on 08/05/2026 by EL
Partia Demokratike këtë të premte do të mbajë protestën e radhës kombëtare përpara Kryeministrisë. Mësohet se policia ka hartuar një sërë masash për të siguruar mbarëvajtjen e kësaj proteste.
Mësohet se në terren do të jenë mbi 1500 efektivë policie, të cilët do të jenë të dislokuar pranë disa institucioneve, si Kryeministria, Parlamenti dhe ministritë.
Po ashtu, mësohet se institucionet janë rrethuar me gardh metalik, për të penguar protestuesit dhe për të mbajtur një kordon sigurie.
Gjithashtu, janë bllokuar disa rrugë që përfshijnë Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Sheshin “Nënë Tereza”, si dhe rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Më herët, drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i bëri thirrje opozitës që të protestojë brenda territorit të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe paralajmëroi se, në rast shkeljeje të kësaj zone, policia do të veprojë.
“Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat që protesta të organizohet dhe të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe paqësore. Leja është kërkuar për Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe aty duhet të jetë e përqendruar. Në rast të veprimeve të paligjshme nga ana e protestuesve, do të veprohet në bazë të procedurave standarde, ligjit dhe Kodit Penal”, tha Hita.
Kjo deklaratë e drejtorit të Policisë u pa nga opozita si provokim, teksa deputeti Klevis Balliu bëri thirrje që policia të mos provokojë protestuesit.
“Opozita e konsideron provokim të hapur këtë deklaratë të kreut të policisë, të shitur te narkobandat, dhe e refuzon si antiligjore. Ne e dimë se ushtari i Belës, që ka si koordinator me bandat Oltion Bistrin, të sapoliruar nga burgu, e bën këtë për të provokuar dhe për të përligjur dhunën policore në protestë. E vetmja kërkesë që kemi për Hitën është që të mos fusë në radhët e protestuesve njerëzit e tij me qëllim provokimin e qytetarëve”, tha Balliu.
Kujtojmë që në protestat e fundit të PD-së ka pasur disa incidente, ku të lënduar kanë mbetur efektivë policie, si edhe disa deputetë dhe zyrtarë të Partisë Demokratike./et
