Mjeku i njohur Erion Dasho ka ndarë sot detaje lidhur me llojin e shumpërfolur së fundmi të hantavirusit.
Sipas mjekut, karakteristikë e hantavirusit është kalimi nga brejtësit te njeriu, gjë që mund të sjellë pasoja të ndryshme klinike.
Sa i përket Shqipërisë, Dasho tha se ky lloj e ka prekur edhe vendin, por me raste sporadike.
“Kjo nuk është diçka e re, është konstatuar prej më shumë se 10 vitesh në Kili dhe Argjentinë, ku pacientët kanë infektuar edhe mjekët që nuk kanë respektuar masat mbrojtëse. Hantaviruset janë një familje e madhe virusesh me pasoja të ndryshme klinike te njeriu. Hantvirusi në fjalë njihet si i Andeve sepse ka qarkulluar lirisht në Amerikën Jugore. Karakteristika e hantaviruseve janë kalimi nga brejtësit te njeriu. Hantavirusi i Andeve ka edhe mundësinë e kalimit nga njeriu te njeriu. Rastet në Shqipëri janë sporadike, numërohen me gishtat e dorës. Ka pasur një shpërthim në vitet ’80, por momentalisht janë shumë të rralla. Shumica e rasteve kalojnë si një virozë e zakonshme. Por në rastet me komplikacione, variantet që transmetohen në Shqipëri janë agresive dhe kanë një vdekshmëri më të lartë në krahasim me hantaviruset që janë në Gjermani apo vende të tjera. Ky virus e ka prekur Shqipërinë, është aktiv prej disa dekadash. Varet vetëm nëse qytetarët kanë kontakt me jashtëqitjen dhe urinën e minjve. Kur ato nuk pastrohen dhe thahen, më pas kthehen në pluhur dhe grimcat mund të merren nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes. Variantet e tjera janë nga kafshimi i brejtësve ose kur jashtëqitjet e tyre kontaminojnë ushqimin”,-tha Dasho./Kb
