Transformimi i shkollave në zonat e prekura nga tërmeti i vitit 2019 po hyn në fazën përmbyllëse, duke sjellë një realitet të ri për mijëra nxënës dhe mësues në Shqipëri. Falë programit “EU4Schools”, 63 objekte arsimore janë rindërtuar ose rikonstruktuar, duke garantuar kushte më të sigurta, moderne dhe dinjitoze për rreth 25 mijë përfitues në 12 bashki.
Me një financim prej 75 milionë eurosh nga Bashkimi Europian dhe i zbatuar nga UNDP në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, programi është mbështetur mbi dy shtylla kryesore: “Rindërtojmë më mirë” dhe “Rindërtojmë së bashku”.
Ekspertja e komunikimit në UNDP Albania, Nora Kushti, thekson se programi ka synuar jo vetëm rindërtimin fizik të shkollave, por edhe krijimin e një modeli të ri zhvillimi.
“Qëllimi ka qenë të ndërtojmë shkolla më të forta, më të sigurta dhe sipas standardeve më të mira europiane. Kjo përfshin eficiencë energjetike, përdorimin e energjisë diellore dhe akses të plotë për fëmijët me aftësi ndryshe. Paralelisht, kemi përfshirë komunitetin në çdo hap të procesit, duke i bërë ata pjesë të vendimmarrjes”, u shpreh Kushti.
Një element i ri i këtij programi është transparenca, përmes një platforme që informon në kohë reale mbi ecurinë e punimeve, duke krijuar një komunikim të hapur me publikun.
Menaxherja e programit, Egla Gollaj, vlerëson se ndikimi i investimit është më i gjerë sesa infrastruktura.
“Ky program ka ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e arsimit. Përveç godinave të reja, kemi përmirësuar edhe kushtet e mësimdhënies dhe mësimnxënies. Kjo është një vlerë e shtuar për sistemin arsimor”, tha ajo.
Në terren, ndryshimi është i prekshëm. Shkollat janë të pajisura me laboratorë, ambiente sportive, sisteme moderne ngrohje dhe ftohjeje, si dhe standarde të larta sigurie. Aksesueshmëria ka qenë një tjetër prioritet, me rampa dhe ashensorë të instaluar pothuajse në të gjitha objektet.
Një nga investimet më të spikatura është Shkolla e Mesme me Orientim Sportiv “Benardina Qerraxhia”, e kthyer tashmë në një kompleks modern me ambiente sportive të standardeve të larta, përfshirë një palestër olimpike unike në vend.
Nxënësit dhe mësuesit e përjetojnë çdo ditë këtë ndryshim. Emanuel Murati nga shkolla “Asim Vokshi” shprehet se kushtet kanë qenë vendimtare në zgjedhjen e tij.
“Që në momentin e parë që e pashë shkollën, më bëri përshtypje. Ambientet janë moderne, të pastra dhe shumë funksionale. Kjo të motivon të mësosh dhe të jesh pjesë e saj”, tha ai.
Edhe drejtuesit e shkollave flasin për një ndikim të drejtpërdrejtë në klimën e punës. Drejtoresha e shkollës “Mehmet Babamusta” në Kavajë, Suela Guhaçaj, thekson ndryshimin rrënjësor.
“Jo vetëm ndërtesa ka ndryshuar, por edhe mënyra si punohet. Mësuesit dhe nxënësit janë më të motivuar, sepse kanë kushte shumë më të mira dhe ambiente të denja”, u shpreh ajo.
Programi ka sjellë përmirësime të ndjeshme edhe për fëmijët në kopshte, ku kushtet e sigurisë dhe higjienës janë rritur ndjeshëm, duke u vlerësuar pozitivisht nga prindërit.
I shtrirë në bashki si Durrësi, Shijaku, Kavaja, Tirana, Kruja dhe Lezha, “EU4Schools” mbetet një nga ndërhyrjet më të mëdha të Bashkimit Europian në Shqipëri, duke lënë pas një trashëgimi që shkon përtej ndërtesave: një standard të ri për arsimin dhe komunitetin./kb
