Kryeministri Edi Rama tha sot se 3-4 vitet e ardhshme do të jenë të vështira për Shqipërinë, pasi lidhen me hapat e fundit të procesit të integrimit europian.
Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste në Elbasan, Rama u shpreh se kjo periudhë do të shërbejë për të një mirëorganizim shtetëror në përputhje me direktivat e BE-së.
Kreu i qeverisë shtoi se mazhoranca duhet të jetë e kthjellët gjatë këtij procesi dhe e motivuar, pavarësisht forcave e faktorëve politikë në vend që janë kundër.
“E nevojshme të jemi të gjithë të vetëdijshëm se këto hapa të fundit të 3-4 viteve që kem përpara janë edhe më të vështirat. Kjo sepse është faza kur duhet të përputhim të gjithë organizimin tonë shtetëror me atë të BE-së, në aspektin jo vetëm të ligjeve, por edhe të standardeve dhe ndërkohë që kjo vetëdije na duhet që ta ndjejmë këtë përgjegjësi. PS duhet të përballet pa e humbur kthjellësinë për asnjë moment dhe motivimin për të shkuar më përpara me një tërësi forcash e faktorësh që janë tërësiht kundër nesh, politikë e mediatikë, që prodhojnë e shpërndajnë në mënyrë marramendëse gënjeshtra, gjysmë të vërteta, lajme të cilat edhe kur nuk janë të pavërtetë vendosen në proporcion të zhdrejtë me realitetin”,-tha Rama./kb
